Presidenti Joe Biden tha të mërkurën se nuk do ta furnizonte Izraelin me armë sulmuese që mund t’i përdor për të nisur një sulm në Rafah, baza e fundit e madhe e Hamasit në Gaza. Presidenti amerikan ka shprehur shqetësimin për sigurinë e më shumë se 1 milion civilëve të strehuar atje.
Në një intervistë për rrjetin CNN, Presidenti Biden tha se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë të përkushtuara ndaj mbrojtjes së Izraelit dhe do ta furnizonin atë vend me raketa për mbrojtjen si dhe armë të tjera mbrojtëse, por nëse Izraeli sulmon qytetin Rafah, “ne nuk do ta furnizojmë me armët dhe predhat që i përdor atje”.
Historikisht Shtetet e Bashkuara i kanë ofruar Izraelit ndihma të mëdha ushtarake. Kjo ndihmë u kërkua me urgjencë pas sulmit të Hamasit më 7 tetor në Izrael që la 1200 të vrarë. Militantët morën peng rreth 250 civilë.
Komentet e Presidentit Biden dhe vendimi i tij javën e kaluar për të ndaluar një dërgesë me bomba me fuqi të lartë në Izrael tregojnë mospajtimet në rritje midis administratës së tij dhe qeverisë së kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu. Presidenti Biden ka thënë se Izraeli duhet të bëjë shumë më tepër për të mbrojtur jetët e civilëve në Gaza.
Presidenti Biden tha për kanalin CNN se nëse bombat amerikane do të përdoren në qytetin Rafah, ai nuk do ta furnizonte Izraelin.
“E bëra të qartë se nëse ata futen në Rafah –ende nuk kanë shkuar në Rafah – nëse shkojnë në Rafah, unë nuk do t’i furnizoj me armët që përdoren për situata të tilla”, tha zoti Biden.
Sekretari i Mbrojtjes, Lloyd Austin, konfirmoi më herët të mërkurën shtyrjen e dërgesës së armëve gjatë një seance dëgjimore në Senatin amerikan. Presidenti Biden i dërgoi një urdhër Pentagonit javën e kaluar duke kërkuar një pauzë të dërgimit të armëve të rënda, sipas zyrtarëve që nuk janë të autorizuar të flasin për këtë çështje.