Gjatë një interviste për “60 Minutes” presidenti amerikan Joe Biden deklaroi se se një pushtim në shkallë të plotë i Gazës do të ishte një gabim i madh dhe se lufta rrezikon që të përhapet në të gjithë Lindjen e Mesme.
“Jam i bindur se Izraeli do të veprojë sipas rregullave të luftës. Unë jam i bindur se do të ketë një akses për të pafajshmit në Gaza që të kenë akses në ilaçe, ushqim dhe ujë. Ajo që ndodhi në Gaza, sipas mendimit tim, është Hamasi dhe elementët ekstremë të tij nuk përfaqësojnë të gjithë popullin palestinez. Dhe unë mendoj se do të ishte gabim që Izraeli të pushtonte Gazën përsëri.”
Por gjatë intervistës kreu i Shtëpisë së Bardhë nuk tha në mënyrë eksplicite nëse Izraeli do të dërgojë forcat tokësore në Gaza përkohësisht por mbështet qëllimin për të shkatërruar Hamasin.
“Ne mund të kujdesemi të garantojmë mbrojtjen tonë ndërkombëtare. Kemi kapacitetin për ta bërë këtë, e kemi detyrim. Nëse nuk e bëjmë ne, kush do ta bëjë. Por në këto sulme ka ndryshime thelbësore. Izraeli po ndjek një grup njerëzish që janë përfshirë në barbarizëm kështu që unë mendoj se duhet të përgjigjet. Ata duhet të shkojnë pas Hamasit. Hamasi është një tufë frikacakësh. Ata fshihen pas civilëve. Izraelitët do të bëjnë gjithçka në fuqinë e tyre për të shmangur vrasjen e civilëve të pafajshëm.”
Tridhjetë amerikanë janë vrarë, sipas Departamentit të Shtetit të SHBA-së ndërsa fati i 13 /të tjerë ende mbetet i paqartë, për të cilën Biden u zotua se do të bëjë gjithçka që ata të gjenden dhe të kthehen në SHBA. Komentet e presidentit vijnë teksa ai po shqyrton nëse do të vizitonte Izraelin në ditët në vijim për të demonstruar solidaritet me izraelitët. Kryeministri Benjamin Netanyahu ia bëri ftesën presidentit gjatë fundjavës por Biden nuk ka vendosur ende nëse do të shkojë në këtë kohë ndërsa një ofensivë e pritshme nga toka, ajri dhe deti pritet të ndodhë.
Shumë analistë ushtarakë kanë thënë se një ofensivë tokësore në Gaza mund të jetë jashtëzakonisht e rrezikshme për forcat izraelite dhe civilët palestinezë.
Klan News