Presidenti amerikan, Joe Biden premtoi sot në platformën e Kombeve të Bashkuara të rrisë përpjekjet ndërkombëtare të SHBA-së për të luftuar pandeminë dhe ndryshimet klimatike.
“Uashingtoni do të njoftojë nesër angazhime shtesë për të rritur vaksinimin në vendet më pak të zhvilluara, gjatë një samiti virtual që po organizon”, tha Biden në një fjalim në Asamblenë e Përgjithshme të OKB -së.
Presidenti amerikan, gjithashtu, u zotua të punojë me Kongresin amerikan për të “dyfishuar sërish” sasinë e ndihmës ndërkombëtare amerikane për vendet më pak të zhvilluara, për t’u marrë me ndryshimet klimatike.
Sipas ekspertëve, kjo do të thotë një angazhim prej rreth 11 miliardë dollarësh në vit.
“Me ndihmën tonë, si edhe rritjen e kapitalit nga donatorë privatë dhe të tjerë, ne do të jemi në gjendje të arrijmë qëllimin e mobilizimit të 100 miliardë dollarëve për të mbështetur veprimet klimatike në vendet në zhvillim”, shton Biden.
Vendet e zhvilluara u angazhuan në 2009, në Kopenhagë, për të mobilizuar 100 miliardë dollarë në vit, midis 2020 dhe 2025, për këtë ndihmë, por plani i financimit, që do të shpallet në COP26, është prapa afatit.
Biden u zotua se SHBA-ja do të angazhohet edhe për të investuar “10 miliardë dollarë për t’i dhënë fund urisë dhe për investime në sistemin ushqimor në SHBA dhe jashtë saj”.