Presidenti amerikan, Joe Biden, është zotuar se do të ofrojë çfarëdo ndihme për Floridën për t’u rimëkëmbur, pas shkatërrimit që ka lënë mbrapa stuhia tropikale Idalia.
Biden i ka bërë këto deklarata nga vendi i ngjarjes, ku të paktën dy persona besohet të kenë vdekur, prej zbarkimit të stuhisë të mërkurën në këtë shtet.
Biden ka thënë se asnjë njeri “inteligjent” nuk ka dyshim për ndikimin e ndryshimeve klimatike në stuhi të tilla.
Guvernatori i Floridës, Ron DeSantis, ka vendosur të mos takohet me presidentin Biden.
DeSantis, i cili synon ta fitojë nominimin e republikanëve në garën për president të SHBA-së, ka thënë paraprakisht se prezenca e Bidenit në Florida do t’i pengonte përpjekjet për përgjigje ndaj katastrofës.
Biden, i cili ka biseduar disa herë me DeSantisin gjatë javës, përmes telefonit, ka thënë se do të shkojë edhe fizikisht në Florida.
Idalia ka zbarkuar si stuhi e fuqishme në zonën Big Bend të Floridës të mërkurën, dhe është përshkruar nga zyrtarët si stuhia më e keqe që e ka goditur rajonin në 100 vjetët e fundit.
Prej asaj dite stuhia ka lëvizur në veri, duke goditur shtetet fqinje si Xhorxhia dhe dy Karolinat.
Shtëpitë dhe bizneset janë vërshuar, dhe mijëra njerëz kanë mbetur pa energji elektrike.