Pas një sërë krizash gjatë javëve të fundit, si në Amerikë ashtu edhe jashtë saj, përkrahja për presidentin amerikan, Joe Biden, ka rënë ndjeshëm.
Sipas një sondazhi të agjencisë së lajmeve “Associated Press”, këto kriza kanë ndikuar që të bjerë përkrahja për presidentin që ka premtuar bashkimin e Amerikës dhe qeverisje të mirë.
Tani 50 për qind e të anketuarve e përkrahin Bidenin, ndërkaq 49 për qind janë kundër tij. Në muajin gusht, përkrahja për të ishte 54 për qind, kurse në korrik 59 për qind.
Rezultati i sondazhit vjen pas tërheqjes së amerikanëve nga Afganistani, keqmenaxhimit të çështjes me refugjatët haitianë në kufi, krizës së pandemisë dhe problemeve në legjislativ, teksa Bideni po e negocion pakon ekonomike dhe infrastrukturore në Kongres.
Që prej muajit korrik, përkrahja për Bidenin ka rënë edhe në mesin e demokratëve.
Nga 92 për qind, ai tani gëzon përkrahjen e 85 përqindëshit të tyre. Kurse në mesin e republikanëve, Bideni ka përkrahjen e vetëm 11 përqindëshit, shifër kjo që nuk ka lëvizur që nga muaji korrik.
Përkrahja ka rënë edhe në mesin e amerikanëve të racës së bardhë, si dhe të afro-amerikanëve.
Nga 84 për qind të përkrahjes, tani rreth 64 për qind e afro-amerikanëve i ofrojnë mbështetje presidentit.
Në mesin e amerikanëve të racës së bardhë, Bideni gëzon përkrahjen e vetëm 42 përqindëshit të të anketuarve.