Presidenti amerikan, Joe Biden, është shprehur i bindur se do të takohet me presidentin rus, Vladimir Putin, gjatë muajit qershor në samitet e G7-s dhe NATO-s.
Në një konferencë për media të mbajtur të premten, Bideni ka thënë se dy shtetet ende nuk kanë caktuar ndonjë afat apo vend për takimin, porse janë duke punuar në këtë rrafsh.
Gjatë muajit prill, administrata e Bidenit kishte goditur Rusinë me sanksione, për shkak të ndërhyrjes në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 dhe për sulmet kibernetike ndaj agjencive federale.
Ani pse ka vendosur sanksione, Bideni ka bërë thirrje për qetësim të tensioneve mes vendeve dhe ka lënë të hapur mundësinë për bashkëpunim me Rusinë rreth disa çështjeve. Administrata synon që takimi sy më sy i dy presidentëve të ndihmojë në arritjen e këtij qëllimi.