Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden ka nënshkruar urdhrin ekzekutiv që kërkon një rishikim të dokumenteve të klasifikuara, në lidhje me sulmet terroriste të 11 shtatorit.
Bideni ishte paralajmëruar muajin e kaluar nga mijëra amerikanë të prekur nga sulmet terroriste, përfshirë familjarë të viktimave dhe të mbijetuar, që të mos merrte pjesë në asnjë nga ceremonitë e shënimit të 20 vjetorit të kësaj ngjarje të rëndë, nëse nuk i deklasifikonte dokumentet që potencialisht tregojnë lidhjet e qeverisë saudite me kamikazët e 11 shtatorit.
“Sot, nënshkrova një urdhër ekzekutiv që drejton Departamentin e Drejtësisë dhe agjencitë e tjera përkatëse të mbikëqyrnin një rishikim të deklasifikimit të dokumenteve që lidhen me hetimet e Byrosë Federale të Hetimeve të 11 shtatorit. Urdhri ekzekutiv kërkon që Prokurori i Përgjithshëm të publikojë dokumentet e deklasifikuara gjatë gjashtë muajve të ardhshëm”, ka thënë Biden.
Më 11 shtator të vitit 2001 në SHBA janë kryer një seri sulmesh të koordinuara terroriste, të udhëhequra nga grupi terrorist Al-Qaeda kundrejt Amerikës.
Objekte të sulmit ishin ndërtesa të rëndësishme në SHBA, si Kullat Binjake ku ishte vendosur Selia e Organizatës Botërore të Tregtisë në Nju Jork, ndërtesa e Pentagonit si dhe Shtëpia e Bardhë. Mijëra qytetarë u vranë në sulmin më të rëndë terrorist në historinë e njerëzimit.

