Presidenti amerikan, Joe Biden, ka përfunduar udhëtimin e tij të parë në Evropë, pas një javë me samite, takime diplomatike e paraqitjeje para mediave.
Bideni ka ngjitur sot shkallët e Air Force One në aeroportin e Gjenevës, për tu rikthyer në SHBA bashkë me Zonjën e Parë, Jill Biden.
Takimi i tij bilateral me homologun e tij rus, Vladimir Putin, në Gjenevë, të mërkurën, ka bërë më së shumti bujë nga vizita e tij në Evropë.
Biden e Putin kanë zhvilluar një takim për rreth katër orësh, i cili nga të dy presidentët është vlerësuar si pozitiv.
Derisa Bideni ka thënë pas takimit se ia ka kujtuar Putinit se kushdo që shkel demokracinë dhe të drejtat e njerëzve do të përballet me SHBA-në, Putini ka deklaruar se Rusia nuk dëshiron të jetë si Amerika, duke aluduar në trazirat e janarit të këtij viti në Kongresin amerikan.
Gjatë vizitës së tij në Evropë, Bideni ka marrë pjesë edhe në Samitin e G7-ës që është mbajtur në Britani të Madhe e ku vendimi më i rëndësishëm për botën ishte ndarja e 1 miliardë dozave të vaksinës për vendet e varfra. Bideni është zotuar se SHBA-ja do të ndajë 500 milionë doza të vaksinës Pfizer ndërkaq kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, ka thënë se shteti i tij do të dhurojë 200 milionë vaksina anti-COVID.