Uebfaqja e qeverisë britanike, uebfaqja e platformës së famshme për shitje përmes internetit, Amazon dhe uebfaqja e sistemit ndërkombëtar të pagesave përmes internetit, PayPal, janë në mesin e shumë uebfaqeve që kanë dalë nga funksioni.
Mijëra përdorues kanë raportuar për probleme gjatë qasjes së këtyre uebfaqeve. Nga këto pengesa janë prekur edhe uebfaqet e Netflix-it, Pinterest-it dhe Twitch-it, shkruan Daily Mail.
Duket se problemi është i lidhur me rënien nga funksioni të shërbimit në faqes Amazon, duke ua pamundësuar njerëzve që të lidhen në uebfaqe të tjera. Deri tani nuk dihet se çfarë saktësisht e ka shkaktuar këtë problem.
“Amazon Web Service” është një shërbim kompjuterik që u ofron klientëve një mënyrë për t’u qasur në baza të të dhënave, hapësira për ruajtjen e të dhënave dhe serverë.
Ky shërbim ka në pronësi harduerët që nevojiten për t’i ofruar këto shërbime.