Nga Peter Tiede dhe Philip Fabian, BILD
Ambasada amerikane në Moskë paralajmëron: “Qytetarët amerikanë nuk duhet të udhëtojnë në Rusi, dhe ata që banojnë ose kanë udhëtuar në Rusi, duhet të largohen menjëherë sa kohë që ekzistojnë mundësi të kufizuara të udhëtimit komercial”.
Në të njëjtën kohë, sipas informacioneve të BILD, kompanitë amerikane po u bëjnë thirrje punonjësve të tyre në Rusi, duke u kërkuar atyre që të largohen menjëherë nga vendi, përfshirë edhe shtetasit jo-amerikanë.
Frika: vizat mund të anulohen shumë shpejt! Dhe pavarësisht nga shtetësia e dyfishtë. Sipas ambasadës amerikane, opsionet për t’u larguar nga vendi me avion aktualisht janë ‘jashtëzakonisht të kufizuara’.
Kësaj i shtohet edhe fakti se mobilizimi prek edhe ata me shtetësi të dyfishtë. Kjo do të thotë se ushtria mund t’i rekrutojë ata.
Për shembull, 29 basketbollistë amerikanë nga liga profesioniste ruse mund të preken.
Tashmë ka shenja të anulimit të vizave: reporteri i BILD, Peter Tiede, nuk u lejua të hynte në vend të hënën- pavarësisht një vize të vlefshme.
Arsyeja e alarmit të ambasadës: një fjalim i presidentit rus, Vladimir Putin, pritet të premten.
Jo vetëm që ai pritet të shpallë zonat e pushtuara nga Rusia në Ukrainën lindore si territor shtetëror rus pas ‘votimeve’ të rreme që përfunduan sot. Por tirani i Kremlinit pritet të shpallë gjithashtu masa të ashpra ndaj të huajve në Rusi.
Një diplomat tha për BILD: “Rreziku është që Putini të mbyllë vendin dhe të huajt nuk do të dalin për ditë apo edhe javë sepse nuk do ketë fluturime”. Dhe “operacionet e shpëtimit nga vendet perëndimore janë të vështira të imagjinohen në kushtet aktuale”.
Shumë fluturime tashmë janë plotësisht të rezervuara dhe jashtëzakonisht të shtrenjta, sepse dhjetëra mijëra rusë duan të ikin jashtë vendit përpara mobilizimit.
Ekipi i krizës i Ministrisë së Jashtme gjermane po takohet në Berlin për momentin. Nuk dihet ende nëse Gjermania do u bëjë thirrje qytetarëve të saj të largohen nga vendi. Udhëtimi drejt Rusisë nuk rekomandohet, sipas faqes së internetit të Ministrisë së Jashtme.
© SYRI.net