Albania
Binjakëzimi Historik i Distriktit 2485 Shqipëri-Kosovë me Distriktin 2110 Sicili-Maltë në Hora e Arbëreshëve
Nga data 20 deri më 23 dhjetor 2024, një delegacion prej 55 Rotarianësh nga Distrikti 2485 Shqipëri-Kosovë, i kryesuar nga Guvernatori Butrint Batalli, vizitoi Sicilinë për një ngjarje të rëndësishme historike: binjakëzimin dhe nënshkrimin e një Memorandumi të Partneritetit me Distriktin 2110 Sicili (Itali) -Maltë.
Ceremonia u mbajt në qytetin simbolik të komunitetit Arbëresh, Hora e Arbëreshëve, një qendër me rëndësi të veçantë për trashëgiminë kulturore dhe historike arbëreshe.
Ceremonia e Binjakëzimit: Një Moment i Bashkimit dhe Frymës Rotary
Në një ceremoni të organizuar në sheshin kryesor të qytetit, delegacioni nga Distrikti 2485 u prit ngrohtësisht dhe zyrtarisht nga Kryetari i Bashkisë së Hora e Arbëreshëve, z. Rosario Petta, dhe Presidenti i Këshillit Komunal, z. Antonino Aclud së bashku me përfaqësues tjerë të komunës. Ceremonia e binjakëzimit të dy distrikteve Rotariane u mbajt në ambientet e Këshillit Komunal të qytetit, në praninë e qytetarëve, Rotarianëve nga të dy distriktet dhe përfaqësuesve të komunës ku Guvernatori i Distriktit 2485, z. Butrint Batalli, dhe Guvernatori i Distriktit 2110, z. Giuseppe Pitari nënshkruan marrëveshjet.
Në emër të qytetit, Kryetari i Bashkisë së Piana degli Albanesi- Hora e Arbëreshëvet, Rosario Petta, dhe Presidenti i Këshillit Komunal, Antonino Aclud mbajtën fjalime të ngrohta, duke përshëndetur delegacionin shqiptar nga Shqipëria dhe Kosova si vëllezër të dashur duke u uruar mirëseardhje të përzemërt në “shtëpinë e tyre të dytë,” Hora e Arbëreshëve. Mikpritja e ngrohtë dhe fjalimet emocionuese përforcuan lidhjen e veçantë, duke sjellë në pah vlerat e përbashkëta të traditës, kulturës dhe miqësisë.
Në fjalimin e tij, Guvernatori i Distriktit 2485, z. Butrint Batalli, vlerësoi vlerat e komunitetit Arbëresh si një urë lidhëse mes popujve dhe kulturave. Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e vlerave të Rotary-t, të cilat bashkojnë njerëzit përtej kufijve, në frymën e paqes dhe bashkëpunimit.
“Arbëreshët janë një shembull i gjallë i fuqisë së shpirtit dhe i qëndresës kulturore, duke ruajtur me krenari gjuhën, traditat dhe identitetin tonë kombëtar ndër shekuj. Ju përfaqësoni jo vetëm të kaluarën tonë të lavdishme, por edhe një urë të fortë që na lidh me të ardhmen. Kontributi juaj në ruajtjen e trashëgimisë shqiptare është një frymëzim për të gjithë ne dhe një pasuri për brezat që do të vijnë.
Komunitetet tona, edhe pse të ndara nga dete dhe male, ndajnë një lidhje të thellë historike dhe kulturore. Arbëreshët, të cilët gjetën një shtëpi të re këtu në Sicili shekuj më parë, përfaqësojnë simbolin e qëndrueshmërisë, integrimit dhe identitetit që na bashkon. Me këtë binjakëzim, ne festojmë jo vetëm historinë tonë të përbashkët, por edhe vështrimin drejt së ardhmes, duke forcuar një aleancë strategjike midis distrikteve dhe klubeve tona në shërbim të komunitetit”, tha ai.
Guvernatori Batalli më tutje shtoj “Më lejoni të citoj Nënë tonë, të Shenjtën Nënën Terezë: “Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha. Por ne të gjithë mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe.” Ky binjakëzimi është një nga ato “gjërat e vogla” që, të bëra me dashuri dhe përkushtim, kanë fuqinë të lënë një gjurmë të thellë dhe të qëndrueshme në komunitetet dhe jetën tonë”.
Nga ana tjetër, Guvernatori i Distriktit 2110, z.Giuseppe Pitari, i cili pranoi me entuziazëm propozimin për binjakëzim nga homologu i tij, z. Batalli theksoi rëndësinë e kësaj marrëveshjeje si një hap i madh për forcimin e lidhjeve mes dy distrikteve Rotariane dhe vendeve tona, për promovimin e aktiviteteve dhe projekteve të përbashkëta si dhe fuqizimin e miqësisë që pasqyrojnë vlerat thelbësore të Rotary.

Fjalime rasti mbajtën gjithashtu Guvernatori i Zgjedhur, Arben Dushi dhe Guvernatorja e Nominuar, Florentina Dushi nga Distrikti 2485, të cilët theksuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe vlerave të përbashkëta të Rotary për të ndërtuar një të ardhme më të mirë.”
Pema e Ullirit: Simbol i Paqes dhe Bashkimit
Në qendër të qytetit, pranë statujës së Skënderbeut, Guvernatorët Butrint Batalli dhe Giuseppe Pitari, së bashku me Presidentin e Këshillit Komunal Antonnino Aclud, mbollën një pemë ulliri si një simbol të paqes, unitetit dhe një të ardhmeje të përbashkët mes kombeve tona, Shqiptare dhe Italiane. Ky gjest përfaqëson jo vetëm angazhimin e përbashkët për paqen, mirëkuptimin mes popujve dhe qëndrueshmërinë, por edhe një urë lidhëse mes trashëgimisë Arbëreshe dhe vlerave universale të Rotary.
Hora e Arbëreshëve: Një Trashëgimi e Gjallë e Kulturës Arbëreshe
Hora e Arbëreshëve (Piana degli Albanesi) është një qytet në zemër të Sicilisë, e themeluar nga emigrantët shqiptarë në shekullin XV dhe përfaqëson një simbol të gjallë të traditave dhe identitetit shqiptar. Banorët e saj kanë ruajtur për shekuj me radhë gjuhën, kulturën dhe zakonet shqiptare. Rituali bizantin dhe flamuri i Gjergj Kastriotit – Skënderbeut që valëvitet krenar në këtë qytet janë pjesë e përditshme e këtij qyteti, duke përfaqësuar krenarinë kombëtare dhe qëndresën ndër shekuj. Sot, ky qytet përfaqëson një nga bastionet më të rëndësishme të identitetit Arbëresh.
Vizita historike e Rotarianëve nga Shqipëria dhe Kosova Fillon me MUSARB – Muzeun e Kulturës Arbëreshe
Delegacioni i Distriktit Rotary 2485 Shqipëri-Kosovë i shoqëruar gjatë gjithë kohës nga Kryetari Petta hapi udhëtimin e tij me një përvojë të jashtëzakonshme kulturore në MUSARB, muzeun e mrekullueshëm që ruan dhe promovon thelbin unik të identitetit Arbëresh.
Ky muze i ndërtuar me kujdes e pasion përfaqëson një udhëtim nëpër shekuj, duke i zhytur vizitorët në historinë, artin dhe traditat e Horës së Arbëreshëve, një thesar i pashoq Arbëror. Një ndër atraksionet më mbresëlënëse për të gjithë delegacionin ishte seksioni i kostumeve tradicionale, ku ekspozohen veshje solemne dhe të përditshme të grave arbëreshe, të qëndisura me mjeshtëri të lartë me ar mbi mëndafsh, duke u dhënë grave pamjen e “të veshura me diell“.
Vizita përfshiu gjithashtu seksione dedikuar ikonave bizantine, peizazhet e zonës, trashëgimisë natyrore dhe jetës agrare, ku spikati një koleksion i veçantë bimësh nga Rezervati Natyror i “Serre della Pizzuta.” MUSARB, përtej një muzeu, është një urë midis së shkuarës dhe së tashmes, një testament i ruajtjes së rrënjëve dhe një frymëzim për të ardhmen.
Ky moment i veçantë për delegacionin e Rotary nga Shqipëria dhe Kosova shërbeu si një homazh ndaj pasurisë së pashtershme të kulturës Arbëreshe dhe lidhjes së saj të thellë me trashëgiminë shqiptare dhe mikpritjes italiane, duke forcuar më tej frymën e miqësisë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

Pastaj vizita vazhdoj tek Katedralja Shën Dhimitri Megalomartiri (1498), Eparkia e Katedrales së Piana degli Albanesi. Kisha kishte një ikonografi mbresëlënse ku vëreheshin shenjat e dy stileve: atij perëndimor, i përfaqësuar nga afresket e Novellit dhe nga piktura të ndryshme në pëlhurë; dhe atij oriental, e dëshmuar nga ikonostasi dhe ikonat e vendosura në faqet anësore.
Binjakëzimet e klubeve Rotariane në Palermo dhe Katania
Përveç ceremonisë kryesore në Hora e Arbëreshëve, në qytetet Palermo dhe Katania u organizuan binjakëzime midis klubeve Rotariane të Distriktit 2485 dhe atyre të Distriktit 2110.
Në një akt të rëndësishëm për të forcuar lidhjet ndërkombëtare dhe për të promovuar vlerat e përbashkëta të Rotary, klubet e Distriktit 2485 (Shqipëri-Kosovë) kanë realizuar binjakëzime me disa klube prestigjioze nga Palermo dhe Katania, në Itali.
Klubet Rotariane të Distriktit 2485 që morën pjesë në binjakëzime ishin: RC Durrës, RC Gjakova, RC Prishtina, RC Gjakova Qabrati, RC E-Club Tirana Cosmopolitan, RC E-Club Durrës 24. Klubet e D2485 u binjakëzuan me klubet nga Distrikti 2110 si: RC Palermo Piana degli Albanesi Hora Arbereshevet, RC Milazzo, RC Catania, RC Nicosia di Sicilia, RC Palermo Baia dei Fenici, RC Catania Est, RC Catania Sud, RC Passport Mediterranée – Distrikti 2110.
Këto binjakëzime forcuan më tej lidhjet miqësore dhe përfaqësojnë një hap të madh drejt bashkëpunimit më të thelluar dhe realizimit të projekteve që do të kontribuojnë në fuqizimin e komuniteteve tona dhe në ndërtimin e një bote më të mirë.
Si rezultat i binjakëzimeve të suksesshme, u hodhën themelet për projektet e para konkrete. Klubet Durrsake dhe Distrikti 2485 Shqipëri-Kosovë ofruan dy bursa për studentë nga Hora e Arbëreshëve që janë të interesuar për studime në Shqipëri. Gjithashtu, u nisën iniciativat për trajnime dhe bashkëpunim për mësues nga ky komunitet, duke kontribuar në forcimin e lidhjeve arsimore dhe kulturore.
Kjo vizitë dhe projektet që linden prej saj janë dëshmi e fuqisë së bashkëpunimit përmes Rotary-t, duke krijuar ura të reja mes popujve dhe duke forcuar vlerat universale të paqes, edukimit dhe zhvillimit të përbashkët.
Vizita dhe marrëveshja simbolike nuk shënon vetëm një moment historik për Rotary, por edhe një përkujtim të gjallë të trashëgimisë dhe frymës së bashkëpunimit mes popujve shqiptarë dhe italianë, të cilët ndajnë një histori të pasur dhe një vizion të përbashkët për të ardhmen të qëndrueshme.
Albania
Bujqësia po e humb peshën e saj në ekonomi, sektori në rënie të lirë
Bujqësia po e humb peshën e saj në ekonomi. Tkurrja e fondeve që qeveria po i vë çdo vit në dispozicion po bën që sektori të prodhojë më pak vlerë të shtuar në ekonominë e vendit. Kjo ecuri negative u vu edhe më shumë në dukje në tremujorin e tretë të vitit gjatë së cilit kontributi i bujqësisë në ekonomi ishte negativ… 0.41 për qind më pak se në po të njëjtën periudhë kohore të një viti më parë.
“Kam shkruar një artikull në vitet 2000 ku thosha se bujqësia është si puna e një lope që milet tre herë në ditë dhe ushqehet vetëm një herë. Kjo lopë, në këtë rast bujqësia është e destinuar të vdesë”, thotë për A2, Esmeralda Ballesha, eksperte për bujqësinë.
Bujqësia ka hyrë tashmë në cikël rënës, e ndikuar nga njëra anë, nga pakësimi i popullsisë në fshat nga emigracioni i brendshëm dhe i jashtëm dhe mungesa e subvencioneve shtetërore, në anën tjetrën, që e kanë përkeqësuar klimën në sektor.
“Duhet ta themi hapur. Të gjitha qeverisjet në këto 30 vite kanë qenë neglizhente për sa i përket politikave me fshatin. Mentaliteti i qeverive ka qenes e fshatari mori tokën e tij e tani le t’ia dalë vetë. Kjo ka qenë fatale për sektorin e bujqësisë”, thotë Ballesha.
Vitin e kaluar, prodhimi në sektorin bujqësor shënoi rënie me 0.69 për qind. Kjo ndodhi në një kohë kur ekonomia u rrit me gati 3.5 për qind, çka dëshmon se sektori është lënë tashmë në rënie të lirë. “Unë them që minimalisht bujqësia duhet të ketë në dispozicion 800 milionë euro. e Theksoj. Minimalisht. Për të kapur ritmin e vendeve të tjera të Rajonit. Më tej në Europë jemi larg konkurrencës”, thotë Ballesha.
Të jesh i madh, jo gjithmonë do të thotë se ke avantazh. Shembulli më i mirë në vend është bujqësia. Kontributi i saj në ekonomi ka qenë gati 22 për qind e totalit, por sektorit përherë e më shumë po merr më pak para nga buxheti i shtetit. Rrjedhimisht po prodhon më pak vlerë të shtuar në ekonomi.
Albania
Berisha uron Kurtin për fitoren: Zgjedhjet, një sukses i vërtetë i demokracisë në Kosovë!
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka uruar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për fitoren e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Përmes po postimi në rrjetet sociale, Berisha shkruan se edhe partitë e tjera politike të Kosovës mbajtën qëndrime dinjitoze gjatë fushatës, për respektimin e vullnetit të qytetarëve.
Po ashtu Berisha shkruan se këto zgjedhje treguan se në Kosovë ka garë të lirë dhe demokratike, shkruan A2 CNN.
Kreu i PD nuk harroi të akuzonte kryeministrin Edi Rama për pengim të procesit të rregullt zgjedhor në Shqipëri.
Postimi i Berishës:
Zgjedhjet Parlamentare të 28 dhjetorit 2025 në Kosovë, një sukses frymëzues për Shqipërinë
Të dashur miq, dje Kosova zhvilloi zgjedhjet palamentare të parakohshme, të dytat në një hark kohor 10 mujor. Këto zgjedhje për fushatën, procedurën e votimit, garën e lirë, administrimin e votës ishin një sukses i vërtetë i demokracisë së re të Kosovës dhe mbarë qytetarëve të saj dhe shpresoj një frymëzim për shqiptarët në Shqipëri, ku armiku i egër i votës së lirë të qytetarëve shqiptarë, Ramaduro i Europës, ka shndërruar procesin jetik të zgjedhjeve të lira në farsë të shëmtuar elektorale.
Me këtë rast dua të uroj përzemërsisht qytetarët e lirë të Kosovës, autoriteret e vendit dhe institucionet e administrimit të procesit zgjedhor dhe forcat politike për arritjen e vërtetë të rendit demokratik të vendit të tyre.
Uroj fituesin e zgjedhjeve Z. Albin Kurti për fitoren e thellë të këtyre zgjedhjeve, por edhe të gjitha forcat e tjera politike për pjesëmarrjen dhe qëndrimet e tyre dinjitoze gjatë fushatës dhe respektimin e vendimit të sovranit. Dhe njëherë urime Kosovës, krenari e shqiptarëve! #sb
Albania
Autoboti i pastrimit të ujërave të zeza, po shpërndan ujë për qytetarët në Vlorë
Qytetarët e Vlorës kanë protestuar sërish sot para dyerve të Bashkisë pasi prej 4-5 ditësh janë pa ujë të pijshëm pas një defekti në linjën kryesore të ujësjellësit.
Njëri prej qytetarëve ka telefonuar kryebashkiaken Brunilda Mersini duke i kërkuar që të vijë personalisht dhe të bisedojë me qytetarët për situatën por Mersini i ka mbyllur telefonin qytetarit pa i dhënë asnjë zgjidhje.
Si pasojë e pakënaqësisë, qytetarët janë zhvendosur në rrugën kryesore, duke bllokuar qarkullimin. Ata kanë pasur disa përplasje me policinë dhe kanë hedhur vezë dhe letra higjenike para ambienteve të Bashkisë.
Ndërkohë, Ujësjellësi i Vlorës ka njoftuar banorët se uji i sjellë me autobotë duhet përdorur vetëm për nevoja emergjente dhe jo për konsum oral. Në njoftim thuhet:
‘Ujësjellës Kanalizimeve Rajoni Vlorë, njofton qytetarët se ujin të cilin po e marrin nga autobotet, duhet t’a përdorin për nevoja emergjente dhe jo për përdorim oral.’
Nga ana tjetër qytetarët shprehen se autoboti që shihni në foto përdoret për zhbllokimin e pusetave të ujërave të zeza, por tani po shpërndan edhe ujë dhe në pikë të hallit kanë marrë bidonat dhe po mbushin ujë.
-
Albania13 hours agoU kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
-
UK12 hours agoFOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli
-
Albania2 days agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
Sports11 hours agoIsh-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën
-
UK2 days agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Albania13 hours agoHetimet për atentatin e Rinasit, burime: Autorët pasi dogjën mjetin që përdorën në krim u larguan me ambulancë
-
Albania1 day agoVIDEO/ Protesta në Vlorë për mungesën e ujit, qytetarët futen në teatrin “Petro Marko” dhe ndërpresin mbrëmjen gala të bashkisë
-
UK1 day agoPrinci William dhe Kate Middleton vendosën vijë sigurie 9.6km rreth rezidencës së tyre të re, reagojnë banorët e zonës: Masa të tepruara dhe pa konsultim
