“Ti je një nga miqtë e mi më të besuar në çdo kuptim të fjalës. Nuk më ke zhgënjyer kurrë, as edhe një herë të vetme.” Këto ishin fjalët që Epstein i drejtonte Sulayem në qershor të vitit 2013.
Po kush është Sultan Ahmed bin Sulayem?

Sulltan Ahmed bin Sulayem është një nga figurat më të fuqishme të biznesit në Emiratet e Bashkuara Arabe. I lindur në Dubai në një familje me lidhje të forta me elitën, babai i tij ka qenë këshilltar i familjes sunduese Al Maktoum.
Ai ka luajtur rol kyç në shndërrimin e Dubait në një fuqi ekonomike globale. Në vitin 1980 mbikëqyri zgjerimin e zonës së lirë ekonomike Jebel Ali. Në vitin 2005, dy entitete portuale të Dubait u bashkuan për të krijuar gjigantin logjistik DP World, një nga kompanitë më të mëdha në botë në fushën e porteve dhe logjistikës, që menaxhon rreth 1/10-ën e tregtisë globale të kontejnerëve.
Sulayem është kryetar i DP World që prej vitit 2007 dhe drejtor ekzekutiv që nga viti 2016, duke u shndërruar në një nga figurat më të rëndësishme të biznesit në arenën ndërkombëtare.
Zbulimi i email-eve
Emaile të publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, si dhe dokumente të tjera të siguruara nga Bloomberg dhe Drop Site News, tregojnë se Sulayem ka pasur një marrëdhënie profesionale dhe personale me Epstein që ka zgjatur për dekada.
Emri i biznesmenit emirat përmendet mijëra herë në dosjet e Epstein. Email-et shtrihen nga viti 2007 deri pak javë para vdekjes së Epstein në qelinë e burgut në gusht 2019. Pjesa më e madhe e tyre janë dërguar pas dënimit të Epstein në vitin 2008 lidhur me me shfrytëzimin e një të miture për prostitucion.
Në komunikimet e tyre, të dy diskutonin për vizita në ishullin privat të Epstein, prezantonin njëri-tjetrin me figura të fuqishme ndërkombëtare, ndanin informacione për biznes, politikë dhe fe, por edhe biseda me përmbajtje seksuale, shpesh me gjuhë përçmuese ndaj grave.
Nuk ka asnjë pretendim se Sulayem ka marrë pjesë në aktivitete kriminale.
Vizitat në ishullin privat

Emailet sugjerojnë se Sulayem ka vizituar ishullin privat të Epstein, Little Saint James, në Karaibe.
“Në ishullin tënd kalova shumë mirë”, i shkruante ai në qershor 2013.
Pas uraganit Irma në vitin 2017, Sulayem i premtoi Epstein se kishte “inxhinierë” dhe “burime” për ta bërë ishullin “rezistent ndaj uraganeve”. Epstein iu përgjigj me entuziazëm: Super!!.
Në një email të vitit 2016 drejtuar një studioje arkitekture, Sulayem e përshkruante Epstein si “mik shumë i dashur dhe bashkëpunëtor biznesi”, duke përmendur dy ishujt që ai zotëronte në Ishujt e Virgjër Amerikanë dhe planet për zhvillimin e një resorti privat.
Sipas raportimeve të Miami Herald, Epstein bleu ishullin Great St James përmes një kompanie “guackë”, ku përfitues zyrtar figuronte Sulayem. Përfshirja e Epstein doli në dritë më vonë përmes dokumenteve të lejeve të përdorimit të tokës.
Epstein u arrestua në korrik 2019 nën akuza për trafikim seksual të të miturve. Prokurorët pretendojnë se ishulli i tij privat përdorej si bazë për këto aktivitete.
Rrjetet e fuqishme ndërkombëtare

Sulayem dhe Epstein përdorën shpesh ‘rrjetet’ e njëri-tjetrit.
Epstein e prezantoi biznesmenin emirat me ish-kryeministrin izraelit Ehud Barak. Gjithashtu, ai ndërmjetësoi kontakte mes Sulayem dhe strategut amerikan të krahut të djathtë Steve Bannon.
Po ashtu, Epstein e ndihmoi Sulayem në lobimin ndaj Peter Mandelson për një projekt portual 1.8 miliardë paund në lumin Thames në Britani. Projekti u realizua në vitin 2010 dhe sot DP World operon portin London Gateway.
Në një email tjetër, Sulayem i shkruante Epstein se kishte marrë ftesë zyrtare nga zyra e Vladimir Putin për një takim ‘kokë më kokë’ me qëllim marrjen e miratimit për një aset infrastrukturor “të ndjeshëm”, pas një marrëveshjeje dypalëshe mes Emirateve dhe Rusisë.
Epstein e përcolli këtë mesazh te një kontakt i panjohur me shënimin “vetëm për sytë e tu”.
Pas publikimit të dokumenteve, disa institucione financiare reaguan. Fondi i pensioneve La Caisse në Quebec, një nga partnerët më të mëdhenj financiarë të DP World, pezulloi investimet e ardhshme derisa kompania të marrë “masat e nevojshme”.
Po ashtu, British International Investment (BII), agjencia britanike e financimit të zhvillimit, ndaloi kapitalin e ri për shkak të lidhjeve të Sulayem me Epstein.
Biseda për seksin dhe gratë

Përveç çështjeve të biznesit, email-et përmbajnë edhe biseda personale me përmbajtje seksuale dhe gjuhë denigruese.
Në disa mesazhe, Sulayem diskuton takime me gra nga vende të ndryshme, përshkruan marrëdhënie intime dhe bën komente fyese. Në një tjetër rast, ai tregon për përpjekjet për të takuar një supermodele në New York, duke përdorur gjuhë vulgare.
Epstein shpesh i përgjigjej me tone miratuese. Dyshja ndanin edhe shaka me përmbajtje seksuale ose ofenduese.
Marrëdhënie personale dhe favore
Nga email-et del në pah një marrëdhënie e ngushtë personale. Ata uronin njëri-tjetrin për festa myslimane dhe hebraike, si Ramazani apo Rosh Hashanah.
Epstein kërkonte shpesh ndihmë për punësimin e personave të afërt me të në Dubai apo Turqi, ndërsa Sulayem dukej se ndërhynte për t’i ndihmuar.
Në verën e vitit 2017, Sulayem porositi 30 kite ADN-je për analiza prejardhjeje për sundimtarin e Dubait, Mohammed bin Rashid Al Maktoum, të cilat u dërguan në rezidencën e Epstein.
Në një rast tjetër, Sulayem u fotografua me Epstein duke parë një copë pëlhure që i ngjante Kiswah-s së shenjtë nga Meka, një objekt që sipas email-eve, Epstein e dëshironte shumë.
Ky është një artikull ekskluziv i Middle East Eye, i cili hedh dritë mbi marrëdhënien shumëvjeçare mes biznesmenit të fuqishëm nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Sulltan Ahmed bin Sulayem, dhe financierit amerikan të dënuar për krime seksuale, Jeffrey Epstein.

