Presidenti amerikan, Donald Trump ka përjashtuar dërgimin e trupave amerikane në Ukrainë si pjesë e garancive të sigurisë nëse arrihet një marrëveshje paqeje. “Ju siguroj personalisht”, tha ai gjatë një interviste për Fox News.
Por ai la të kuptohet se SHBA mund të ofrojë mbështetje ajrore, por theksoi se anëtarësimi në NATO nuk ishte një instrumenti i sigurisë në të cilin do të mbështetej Ukraina.
Trump shtoi më tej se kur bëhet fjalë për sigurinë, vendet europiane janë të gatshme të dërgojnë trupa në Ukrainë.
“Ne na ndan një oqean, ndaj për ta (BE) gjërat janë disi ndryshe. Kur bëhet fjalë për sigurinë, ata janë të gatshëm të dërgojnë njerëz në terren“, shton ai.
Për presidentin rus Vladimir Putin, Trump tha se shpresonte të lëvizte drejt përfundimit të luftës në Ukrainë, por pranoi se ishte e mundur që udhëheqësi rus të mos donte të bënte një marrëveshje.
“Nuk mendoj se do të ketë problem, të jem i sinqertë me ju. Mendoj se Putini është i lodhur nga kjo. Mendoj se të gjithë janë të lodhur, por megjithatë nuk i dihet kurrë. Është e mundur që ai të mos dëshirojë të bëjë një marrëveshje“, tha Trump, duke shtuar se në atë rast presidenti rus do të duhet të përballet me një “situatë të vështirë”.
Për presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, ai tha se shpreson se do të “bëjë atë që duhet të bëjë”, duke shtuar se në të njëjtën kohë ai duhet të jetë “fleksibël” gjatë negociatave.
Deklaratat e Trump vijnë pas bisedimeve të së hënës midis Volodymyr Zelensky, Trump dhe udhëheqësve evropianë në Shtëpinë e Bardhë. Kujtojmë se një ditë më parë, Zelensky shprehu gatishmërinë për një takim dypalësh me Putin.
Ndërkohë sipas njoftimit të dhënë më vonë për bisedën telefonike Trump-Putin, Kremlini konfirmoi se dyshja “diskutoi idenë e rritjes së nivelit të negociatave të drejtpërdrejta ruso-ukrainase”, por nuk sqaroi nëse Putini ishte dakord. Nga ana tjetër, Zvicra ka deklaruar se është gati të presë një takim mes Zelenskyt dhe Putin.