Gjermania i mirëpriti ministrat e Jashtëm të Azerbajxhanit dhe Armenisë për bisedime dyditore të mërkurën, pesë muaj pasi Azerbajxhani e rimori rajonin e vet, Karabak, nga shumica armene, duke shkaktuar një eksod masiv të armenëve etnikë.
Azerbajxhani ka qenë tejet kundër përfshirjes së jashtme në ndërmjetësimin e një marrëveshjeje, me presidentin Ilham Aliyev që e kishte akuzuar SHBA-në se po i vinte në rrezik marrëdhëniet duke ia mbajtur anën Armenisë.
Por, ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, udhëtoi në këto dy vende në nëntor. Ndërsa, kancelari gjerman Olaf Scholz u takua me Aliyevin dhe kryeministrin armen Nikola Pashinyan, në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Munih këtë muaj.
“Kryeministri [Nikol] Pashinyan dhe presidenti [Ilham] Aliyev kanë theksuar se janë të gatshëm për paqe, për t’i zgjedhur çështjet e rëndësishme ekskluzivisht përmes mënyrave paqësore”, tha Baernock në fillim të bisedimeve.
Në dhjetor, dy vendet fqinje të Kaukazit Jugor e lëshuan një deklaratë të përbashkët përmes të cilës thanë se duan ta arrijnë një marrëveshje për paqe.
Armenia e krishtere dhe Azerbajxhani me shumicë myslimane u futën në luftë për herë të parë për shkak të rajonit Nagorno-Karabak më 1988. Pas shumë dekadave armiqësi, Azerbajxhani në shtator e rimori Karabakun, i cili kontrollohej nga shumica armene prej viteve ’90, edhe pse ndërkombëtarisht ky rajon njihet si pjesë e Azerbajxhanit.
Ofensiva i nxiti shumicën e rajonit prej 120.000 armenëve etnikë të iknin në Armeninë fqinje.
Armenia e ka përshkruar ofensivën si spastrim etnik. Azerbajxhani e ka mohuar këtë dhe ka thënë se ata që ikën kanë mundur të qëndronin dhe të integroheshin në Azerbajxhan.
“Tridhjetë vjet konflikt kanë shkaktuar vuajtje të mëdha, humbje jetësh dhe plagë të thella në të dyja anët”, tha Baerbock.
Baerbock u takua ndaras me homologun e vet azerbajxhanas dhe atë armen të mërkurën, para se ta mbante një takim trepalësh.
Në mesin e telasheve të mëdha mes dy vendeve fqinje është edhe mungesa e një marrëveshjeje për kufirin, pasi të dyja mbajnë enklava të vogla të rrethuara nga territoret e njëra-tjetrës.
Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Rusia kanë tentuar për shumë dekada ta ndërmjetësojnë një marrëveshje mes palëve.