Gjithmonë e më shumë, Bjellorusia po merr konturet e palës së përfshirë drejtpërdrejt në konfliktin në Ukrainë.
Presidenti Aleksander Lukashenko ka mbledhur sot me emergjencë krerët ushtarakë të vendit ish-sovjetik, duke zyrtarizuar marrëveshjen mes tij dhe Vladimir Putin për krijimin e një “grupi të përbashkët ushtarak në rajon”, praktikisht forma burokratike për të shpallur atë që mund të cilësohet si një bashkim të forcave të Minskut me ato të Moskës në fushëbetejën ukrainase.
“Themeli i këtij grupi të përbashkët do të jetë ushtria e Bjellorusisë, dhe ky grupim tashmë ka filluar”, deklaroi Lukashenko, që deri më tani kishte mbetur mbështetës, por jo i përfshirë në konflikt, përtej ditëve të para kur tanket ruse u nisën pikërisht nga Bjellorusia ku po zhvillonin një “stërvitje të programuar” për t’iu drejtuar Kievit, duke dështuar më pas në mënyrë të bujshme edhe për shkak të terrenit jo të favorshëm.
Arsyet e shmangies së deritanishme të Bjellorusisë, që është faktikisht një satelit rus, ka ardhur edhe sepse sondazhet informale tregojnë një kundërshti të opinionit publik bjellorus për t’u përfshirë në luftë.
Por vendimi i Lukashenkos tashmë ndryshon gjithçka, dhe konfirmohet nga burimet që thonë se pjesë e sulmeve të sotme në gjithë territorin ukrainas janë nisur edhe nga ky vend.
Bjellorusia ka një ushtri që mbahet ende mbi një armatim kryesisht sovjetik, dhe arrin deri në 62 mijë efektivë, por ka edhe rreth 340 mijë rezervistë, dhe mund t’i japë Moskës një ndihmë të madhe logjistike, si dhe mundësi sulmi të ndryshme, gjatë gjithë territorit të kontrolluar nga Kievi.