Autoritetet në Bjellorusi kanë dëbuar dy kameramanë rusë dhe kanë hequr akreditimet e disa gazetarëve të mediave të huaja, përfshirë edhe të njërit nga BBC, para demonstratave të reja që po sfidojnë rezultatet e zgjedhjeve presidenciale në këtë shtet.
Të shtunën, ekipi i gazetarëve të BBC-së tha se dy gazetarë që po punonin për edicionin rus në Minsk i kanë humbur akreditimet “me efekt të menjëhershëm”, shkruan The Guardian.
Zëdhënësi për qeverinë e Bjellorusisë Anatoly Glaz tha se vendimi është bërë me rekomandimet e njësisë për kundër-terrorizëm të këtij shteti.
Ai nuk ka specifikuar se sa gazetarë janë prekur nga këto masa, por mediat e huaja si BBC dhe Radio Liberty kanë raportuar tërheqjen e akreditimeve nga disa gazetarë të tyre. Një kameraman rus dhe një producent nga Bjellorusia që punojnë për televizionin ARD, edicion rus, u arrestuan në kryeqytetin Minsk të premten mbrëma dhe u liruan të shtunën.
Kompania gjermane e mediave WDR e cila e udhëheqë këtë stacion ka thënë të shtunën se punonjësit e tyre rusë ishin rrugës për në Moskë, pasi që ua kishin ndaluar hyrjen në Bjellorusi për pesë vjet, ndërsa producenti bjellorus do të gjykohet të hënën.
Edhe fotografit suedez Paul Hansen i është dhënë 24 orë kohë për të braktisur shtetin me ndalesë hyrjeje për pesë vjet.
Ai ishte njëri nga 50 reporterët që u rrethuan nga policia të enjten dhe u dërguan në stacion.
Shumica e gazetarëve u liruan por katër korrespondentë të mediave të huaja, me bazë në Minsk u burgosën dhe dolën në gjyq të premten, të akuzuar me organizim të protestave.