Blerina Bala do të ushtrojë detyrën e kryetares së komanduar të Bashkisë së Himarës. Emri i nënkryetares u votua nga këshilltarët e majtë e të djathtë, në një mbledhje të tensionuar.
Bala do të drejtojë Bashkinë e Himarës, e cila mbeti pa kryetar pas arrestimit të Jorgo Goros, ende ushtrues i detyrës për shkak të arrestimit të Fredi Belerit, fitues i zgjedhjeve të 14 majit 2023.
Për të arritur te zgjedhja e pasueses së Goros u desh që Këshilli Bashkiak të mblidhej dy herë, pasi mbledhja e parë u pengua nga qytetarë dhe mbështetës të Fredi Belerit, të cilët u futën në ambientet e brendshme të bashkisë Himarë, ku u përplasën edhe me policinë. Ata kërkuan largimin e prefektit të Vlorës, Vangjel Tavo dhe Sekretarit të Përgjithshëm të PS, Blendi Klosi.
Pamundësia për zhvillimin e mbledhjes e bëri të detyrueshme shtyrjen e saj me dy orë. Në mbledhjen e mesditës, pa praninë e qytetarëve, Blerina Bala u zgjodh kryetare e komanduar me 15 vota nga 21 anëtarë që ka në total Këshilli Bashkiak i Himarës. Pro votuan 9 këshilltarë nga PS, 1 nga PSD,1 nga Mega,1 nga LZHK, 1 nga PD, 1 nga Rithemelimi dhe 1 nga Partia e Lirisë.