Gjetja e një ekzemplari gati 400-vjeçar të një libri të rrallë për Skënderbeun, nga profesori i shkencave politike në Université Paris-Est Créteil të Francës, Nezir Kraki, është përjetuar si moment i veçantë.
Ekzemplari nuk ishte bash çfarëdo: profesori kosovar ka gjetur një përkthim të fisnikut francez, Jacques de Lavardin, i cili në vitin 1576 kishte botuar të parin libër në Francë për heroin kombëtar të shqiptarëve. I cilësuar kryesisht si përkthim i fjalëpërfjalshëm nga libri i Marin Barletit e vetëm me ndonjë shtojcë edhe nga autorë të tjerë, ky libër kishte zgjuar interesim në Francë saqë ishte ribotuar dy herë radhazi, më 1597 dhe 1621.
E pikërisht një kopje të ribotimit të fundit ka rastisur ta gjejë Kraki, i cili është koleksionues i librave të vjetër dhe i botimeve origjinale. Me të gjetur këtë libër ai ia kishte vënë vetes synim që ta blinte. Mirëpo për dallim nga librat e tjerë të blerë, këtë e ka ndarë mendjen që t’ia dhurojë Muzeut Kombëtar të Gjergj Kastriotit në Krujë ose atij Kombëtar në Prishtinë.
Për të blerë librin “Histoire de Georges Castriot, surnommé Scanderberg, roy d’Albanie”, Kraki ka kërkuar ndihmë nga miqtë e tij dhe ka hapur një fond në Facebook. Duhen fiks 5 mijë euro.
Deri në orët e vona të së hënës janë grumbulluar mbi 2 mijë euro. Shumica e donatorëve janë emra shqiptarësh. Shuma e nevojshme prej 5 mijë eurosh përfshin koston e librit, çmimin e dërgimit të tij me postë nga Spanja dhe taksën që Facebook ndal për fonde që realizohen përmes kësaj platforme. Kraki ka treguar edhe për atë që e bën të veçantë këtë libër.