Tregu dhe blerja e produkteve të konsumit është një nga fushat ku qytetarët hasin shpesh vështirësi. Si të blejmë produkte cilësore, të certifikuara dhe të mos biem pre e abuzimeve? A qarkullojnë në treg produkte të dëmshme?
Drejtori ekzekutiv i qendrës “Alert”, Granit Sokolaj, i ftuar në studion e “Dita jonë”, në A2 CNN, zbuloi se ku duhet të bëjnë më shumë kujdes konsumatorët.
“Duhet të jemi të kujdesshëm në gjithçka që blejmë. Sot ka mbi 3000 profile në Facebook dhe Instagram që shesin ushqime “online”. Rreth 750 janë të regjistruara, pjesa tjetër janë të paligjshme. Pra, nuk mund të porositet online në një faqe me 200 ndjekës. Duhen parë profilet serioze, që kanë faqe interneti apo numra telefoni”, deklaroi Sokolaj.
“Produktet ushqimore janë gjithmonë risk, sidomos tani që ngrihen temperaturat. Nuk duhen blerë ushqime që tregtohen në rrugë”, shtoi Granit Sokolaj.
Këshilla e fundit e tij është se “duhen lexuar gjithçka nga etiketat, jo vetëm data e skadencës”.