Të paktën 37 persona kanë përfunduar në spital pasi janë sulmuar nga bletët në qytetin Melo në Uruguai.
Qytetarët e tmerruar braktisën makinat e tyre në mes të rrugës dhe tentuan të largoheshin me shpejtësi, pasi insektet u futën në automjetet e tyre në lëvizje që ishin me xhamat e ulur.
Autoritetet konfirmuan se të paktën 37 persona, mes të cilëve edhe 8 fëmijë, u dërguan me urgjencë në spital për të marrë ndihmën e nevojshme. Shumë prej këtyre personave u dërguan në spital me makina policie, ndërsa oficerët e tjerë mbyllën rrugën në qendër të qytetit për t’u siguruar që askush të mos futej në zonën e rrezikut.
“Djali im vrapoi si i çmendur, por sërish u pickua të paktën 15 herë. Shumë njerëz u befasuan dhe lanë makinat e motorët e tyre në rrugë duke u larguar”, tregon një qytetar.
Autoritetet vendase kanë thënë se bletët kanë dalë nga dy koshere që mbaheshin pa leje në një shtëpi pranë vendit ku ndodhi ngjarja. Bletarë me veshje mbrojtëse erdhën në vendin e ngjarjes dhe për rreth 1 orë arritën të mbledhin bletët duke larguar rrezikun.