Nis nën masa të rrepta sigurie gjyqi historik për ish-oficerin e policisë së Minneapolis Derek Chauvin, i cili përballet me akuzën për vrasjen e George Floyd në maj të vitit 2020.
Floyd vdiq në 25 maj të vitit 2020, pasi ish-veterani i policisë Derek Chauvin i mbajti gjurin në qafë për afro 9 minuta gjatë arrestimit.
Momentet e fundit të Floyd, lutja e tij për të marrë frymë lirshëm, e filmuar nga disa dëshmitarë dhe e shpërndarë në rrjetet sociale, shkaktoi protesta masive jo vetëm në Mineapolis, por në të gjithë SHBA-në.
Metodat brutale të përdorura nga Chauvin çuan në lëvizjen Black Lives Matter e cila prodhoi një valë demostratash ku përkrah kërkesave anti-raciste, u regjistruan edhe episode të dhunshme dhe vandalizmi.
Para nisjes së gjyqit, anëtarët e familjes së George Floyd, qëndruan për 8 minuta e 46 sekonda në gjunjë jashtë gjykatës së Minneapolis, e cila është blinduar për të shmangur trazirat.
“Sot fillon një gjyq historik që do të jetë një referendum për të parë sa larg ka arritur Amerika në kërkimin e saj për barazi dhe drejtësi për të gjithë”, deklaroi avokati i familjes Floyd, Benjamin Crump.
Ndërkohë para gjykatës dhjetëra protestues mbanin pankarta në duar dhe marshuan për drejtësi.