Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken tha se Departamenti i Shtetit dhe Ministria e Financave të SHBA-së kanë vendosur sanksione ndaj këtyre akterëve për shkak të aktiviteteve korruptive dhe destabilizuese.
Në listën e Departamentit të Thesarit janë ish-deputeti Aqif Rakipi dhe pronari i mediave, Ylli Ndroqi.
“Shtetet e Bashkuara dhe partnerët si Mbretëria e Bashkuar mbajnë përgjegjës ata që kërcënojnë stabilitetin, përparimin dhe integrimin evropian të rajonit”, shkroi Blinken në Twitter.
Në vendimin e Departamentit të Thesarit për Aqif Rakipin thuhet se “është një ish-deputet famëkeq nga Elbasani, i cili ka ndikim të dëmshëm dhe destabilizues në proceset politike në Shqipëri”.
Gjersa për Ylli Ndroqin thuhet se “është një pronar mediash, pasuritë e të cilit janë sekuestruar nga Qeveria e Shqipërisë në vitet 2020 dhe 2021, për veprimtari të mëparshme kriminale”.
Kujtojmë se sanksione i janë vendosur edhe ish-kryeministrit maqedonas, Nikolla Gruevski, ish-presidentit të shtetit të përbashkët Serbi-Mali i Zi, Svetozar Maroviqit dhe ish-shefit të Drejtorisë së Sigurisë dhe Kundërzbulimit të Maqedonisë, Sasho Mijalkov.
Ndryshe, më 8 dhjetor të vitit 2021, Departamenti amerikan i Thesarit kishte sanksionuar shtatë serbë nga Kosova për përfshirje në aktivitete të krimit të organizuar dhe korrupsionit – Millan Radoiçiq, Zvonko dhe Zharko Vesellinoviq, Srgjan Vulloviq, Zhelko dhe Andrija Bojiq, si dhe Radulle Steviq. /