Rusia pretendon se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të interesuara ta mbajnë Ukrainën në gjendje lufte. Duke komentuar vizitën e Sekretarit të Shtetit të SHBA-ve, Antoni Blinken në Kiev, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov deklaroi se Shtetet e Bashkuara kanë shprehur angazhimin e tyre për të vazhduar mbajtjen e Ukrainës në gjendje lufte “deri në ukrainasin e fundit”.
“Ne kemi dëgjuar vazhdimisht deklarata se ata synojnë të vazhdojnë të mbështesin Kievin për aq kohë sa të jetë e nevojshme.
Me fjalë të tjera, ata në thelb do të vazhdojnë ta mbajnë Ukrainën në gjendje lufte dhe ta vazhdojnë këtë luftë deri në ukrainasin e fundit, pa kursyer asnjë para për të”, tha Peskov të mërkurën.
Peskov shtoi se kjo nuk do të ndryshonte rrjedhën e luftës.
Ndërkaq, Sekretari Amerikan i Shtetit pasi ka mbërritur në Kiev vuri në dukje “përparimin e mirë” që Ukraina ka bërë në kundërsulmimin e saj.
Blinken tha se në vizitën e tij të tretë që nga pushtimi rus, ai tha se “jam këtu, para së gjithash, për të demonstruar mbështetjen tonë të vazhdueshme dhe të vendosur për Ukrainën ndërsa ajo merret me këtë agresion”.
“Ne kemi parë përparim të mirë në kundërsulm, që është shumë inkurajuese. Ne duam të sigurohemi që Ukraina të ketë atë që i nevojitet jo vetëm për të pasur sukses në kundërsulm, por ka atë që i nevojitet për një afat të gjatë, për t’u siguruar që të ketë një parandalues të fortë, një kapacitet të fortë mbrojtës, në mënyrë që në të ardhmen , agresione si ky nuk do të përsëriten më”, shtoi Blinken.
Vizita e Blinkenit vjen në një kohë kur kundërofensiva e Ukrainës ka hyrë në muajin në muajin e saj të katërt, me liderët politikë dhe ushtarakë në Kiev që flasin për arritjet e fundit, veçanërisht në jug të vendit, pas shqetësimeve në rritje se shtytja e bashkërenduar në fushën e betejës nuk ka dhënë rezultate.
Ndalesa e parë e Blinken të mërkurën, pas një vizite të shkurtër në ambasadën amerikane, ishte në një varrezë ushtarake, ku ai vendosi një kurorë në nderim të ushtarëve të rënë të Ukrainës.
Më vonë, ai do takohet me presidentin Volodimir Zelenski, nga i cili mund të presë një raport të dorës së parë të përpjekjeve të Ukrainës për të rifituar tokën rreth qytetit lindor të Bakhmut – lideri ukrainas vizitoi me trupat e tij atje të martën,
Gjithashtu, parashikohet që gjatë vizitës së tij dy ditore, ku do të kalojë edhe natën në Ukrainë, Blinken ka të ngjarë të bëjë të ditur paketën e re të ndihmës amerikane me vlerë më shumë se 1 miliard dollarë. CNN.