Bllokohen në kanionin e Nivicës në jug të Shqipërisë, 12 turistë spanjollë në rrezik për jetën

albnews
By
2 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Një grup prej 12 turistësh spanjollë ndodhen në rrezik për jetën pasi janë bllokuar në kanionin e thellë dhe të vështirë të Nivicës, një nga zonat më të egra dhe më pak të eksploruara në jug të Shqipërisë.

Ngjarja është bërë e ditur nga studiuesi i njohur dhe aktivisti i trashëgimisë kulturore dhe natyrore, Auron Tare.

Ai ka ngritur alarmin përmes një postimi publik, duke konfirmuar se situata është kritike dhe se autoritetet janë njoftuar menjëherë.

“Forcat e policisë dhe zjarrfikësit janë nisur drejt vendit për të ndihmuar në operacionin e shpëtimit,” ka bërë të ditur Tare, duke theksuar vështirësitë e terrenit dhe rrezikun që paraqet kjo zonë për këdo që e viziton pa përgatitje dhe pa guida lokale.

Ai kujton gjithashtu se vetëm një ditë më parë, kishte paralajmëruar që askush të mos hynte në kanionin e Nivicës pa praninë e një udhërrëfyesi vendas.

“Kjo është një zonë e egër dhe me rrezikshmëri të lartë nëse nuk e njeh terrenin. Nuk është vend për eksplorim të lirë,” ka shkruar Tare.

Raportohet se spanjollët kishin deklaruar se kishin marrë leje për hyrjen në zonë nga Ministria e Turizmit, dhe kishin vendosur të hynin në kanion pa udhërrëfyes vendas.

Kanioni i Nivicës është një prej destinacioneve më të bukura natyrore në Shqipëri, por edhe një prej më të vështirëve për eksplorim.

Thellësia, rrjedha e ujit, mungesa e sinjalit dhe terreni i thyer janë faktorë që e bëjnë veçanërisht të rrezikshëm për ata që nuk janë të pajisur me eksperiencën dhe pajisjet e nevojshme.

Aktualisht, nuk ka ende informacion të detajuar mbi gjendjen shëndetësore të turistëve apo vendndodhjen e saktë të tyre brenda kanionit.

Autoritetet janë në terren dhe po punojnë me urgjencë për të ndërmarrë një operacion shpëtimi, ndërsa pritet mbërritja e ekipeve të specializuara për operacione malore dhe ndërhyrje në terrene të vështira./

Share This Article