Bayern Munich po has vështirësi të mëdha në përpjekjet për të transferuar Nick Woltemade. Edhe pse bavarezët kanë bërë një ofertë rekord prej 55 milionë eurosh, duke përfshirë bonuse dhe klauzolë rishitjeje, Stuttgart nuk ka ndërmend të ndryshojë qëndrim.
Sipas të përditshmes gjermane Kicker, një transferim i sulmuesit të ri te kampionët e Bundesligës aktualisht konsiderohet si “jo shumë i mundshëm”. Klubi i Stuttgartit është treguar i prerë në refuzimin e ofertave nga Bayern.
CEO i Stuttgartit, Alexander Wehrle, ka qenë i qartë në deklaratat e tij, duke theksuar se nuk po zhvillojnë negociata me Bayernin. Ai tha se kjo u bë e ditur që pesë javë më parë dhe se situata nuk ka ndryshuar aspak.

“Nick Woltemade do të luajë për ne sezonin e ardhshëm,” u shpreh Wehrle, duke përforcuar qëndrimin e klubit kundër çdo lëvizjeje të mundshme drejt Mynihut.
Kjo situatë ka shkaktuar paqartësi nga ana e vetë lojtarit. Agjenti i tij, Danny Bachmann, ka shprehur moskuptim për këtë ngërç, duke lënë të kuptohet se lojtari nuk është i kënaqur me rrjedhën e situatës.
Raportimet mediatike sugjerojnë se Bayern nuk do të bëjë një ofertë të re në ditët në vijim. Strategjia e klubit ka ndryshuar dhe ata tani synojnë të hapin bisedime të drejtpërdrejta me drejtuesit e Stuttgartit.
Bayern shpreson që përmes kontakteve të drejtpërdrejta të arrijë një marrëveshje për sulmuesin premtues. Megjithatë, në këtë fazë, transferimi duket gjithnjë e më i largët.