Ish-senatori Bob Dole ka deklaruar të enjten se është diagnostikuar me kancer në mushkëri në fazën e katërt.
Dole, i cili tash është 97-vjeç, tha se tash vonë është diagnostikuar dhe se do të fillojë trajtimin që të hënën.
Menjëherë pas deklaratës së tij, spektri politik i SHBA-së i kanë dërguar një sërë lutjesh e urimesh për shëndet të mirë, raporton AP.
Dole ka një histori të gjatë në politikë. Ai përfaqësoi shtetin në Kongres për gati 36 vjet deri kur dha dorëheqje nga Senati më 1996 për të hyrë në garë me presidentin demokrat Bill Clinton.
Megjithatë, në Kosovë ai njihet si njeri që kontribuoi për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, transmeton Koha. Ai kishte thënë se ushqente dashuri të veçantë për shqiptarët kur nga ish-presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani, u nderua me dekoratën më të lartë shtetërore “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”.
Bob Dole ka treguar interesim të veçantë për Kosovës. E vizitoi atë në vitin 1990 dhe ishte ndër të parët dhe të paktë zëra që paralajmëruar se në Kosovë po afrohej lufta. Më 1998, Dole i vizitoi sërish Kosovën dhe paralajmëroi se tani masakra ishte e afërt. Ai i bëri thirrje administratës Clinton për veprime. Sensibilizoi ligjvënësit e tjerë amerikanë për të kërkuar që presidentit serb Sllobodan Millosheviqit t’i dërgohej mesazh i qartë për Kosovën, siç ishte vepruar më parë në Bosnje. Vetë Bob Dole është veteran i Luftës së Dytë Botërore.
“Ka nga ata që thonë se gjendja në Kosovë është ndërlikuar, – shkruante senatori Dole në atë kohë. – Në fakt gjendja është më e qartë se kurrë. Kjo është një luftë kundër civilëve dhe ne e dimë se kush është përgjegjës: Sllobodan Millosheviqi”.