Shqipëria renditet e fundit në rajon dhe Europë për lirinë e fjalës, ndërsa qeverisë duket se nuk i pëlqen fort fjala e lirë dhe kërkesa e llogarisë.
Fenomen shqetësues? Sa të duash!
Një episod i shëmtuar u përsërit gjatë ditës së djeshme, mes Ramës dhe gazetares Ambrozia Meta. Nuk është hera e parë që Rama përdor ndaj gazetares jo vetëm dhunë verbale, por edhe kontakt fizik pa miratimin e saj, që në rrjet u interpretua si ‘dhunë’.
Në fakt, Kryeministri dhunoi lirinë e saj, vetëm sepse pyetja e Ambrozia Metës e vendosi Ramën me shpatulla pas muri.
Organizatat për mbrojtjen e medias reaguan menjëherë ndaj këtij gjesti të shëmtuar e të pakontrolluar të Ramës, e po ashtu Unioni i Gazetarëve. Mirëpo, pavarësisht reagimeve kryeministri kryeneç vendosi të mos kërkojë as falje!
Ai i hodhi poshtë kritikat, duke thënë se nuk kishte arsye të kërkonte ndjesë, duke i quajtur pohimet për gjest të papërshtatshëm ndaj gazetares, “një gënjeshtër krejtësisht të neveritshme”, duke shtuar se e hedh poshtë akuzën për përbuzje ndaj shtypit duke thënë se ai “ka shfaqur gatishmëri të plotë ndaj gazetarëve me etikë dhe disa herë edhe pa etikë” për t’iu përgjigjur pyetjeve të tyre.
Gazetarja Ambrozia Meta i tha BIRN-it se “fatkeqësisht arrogancën e zakonshme ndaj gazetarëve kryeminsitri Rama, tani po e demonstron edhe me prekje fizike”. Duke komentuar incidentin ajo shtoi se i vinte keq që “shefi i qeverise nuk arrin të kontrollojë dot veten, kur pyetet për çështje të interesit publik”.
Ajo që na bën më tepër përshtypje është fakti që për këtë ngjarje, mediat e qeverisë heshtin sikur të mos ketë ndodhur asgjë! Sikur gjuha e përdorur nga kryeministri, dhuna verbale, nënçmimet dhe prekja pa konsensus e individëve të tjerë të ishin krejt normale.
Më shumë se kurrë duhet të solidarizohemi në mbështetje të grave gazetare si Ambrozia Meta dhe Ola Xama, modele që luftojnë me profesionalizëm të lartë dhe kurajë për të informuar me vërtetësi dhe paanësi publikun duke kontribuar për transparencën, llogaridhënien, për institucione të forta dhe luftën kundër korrupsionit!
Thirrje të gjithë gazetarëve të vendit të bojkotojnë kryeministrin që ushtron dhunë, presion e kërcënime ndaj gazetarëve, medias e fjalës së lirë! Kryeministri duhet të kuptojë se është vetë ai që ka nevojë për ‘riedukim’. Gazetarët nuk duhet të dorëzohen derisa Rama të kërkojë falje! Sjellja e tij ka patjetër nevojë për një reagim të jashtëzakonshëm!
Grupi monitorues për shkeljet e lirisë së medias në Evropë, Media Freedom Rapid Response the në një postim se “jemi të tmerruar” nga gjesti i zotit Rama ndaj gazetares.
“Nuk bëhet fjalë për politikë; bëhet fjala për mirësjellje bazë. Udhëheqësit duhet t’i respektojnë punonjësit e medias në vend që të frikësojnë ata që kërkojnë të vërtetën”, tha ky grup.
Juristi Dorian Matlija bëri gjithashtu një thirrje të fortë për sjelljet e përsëritura agresive të personit që qeveris vendin:
Sjellja e sotme është një sjellje e përsëritur e kryeministrit Rama. Nuk është hera e parë që ia përdor të njëjtën lloj taktike që tenton ti ulë ti zvogëlojë, kjo quhet sjellje patronalizuese, që shkon deri në kufijtë e ngacmimit, që nuk bëhet vetëm me xheste apo prekje si në rastin konkret, bëhet edhe me fjalë dhe me mënyra të ndryshme të të ndëshkuarit.
Kam parasysh që Edi Rama ka përdorur taktika të ngjashme jo vetëm ndaj gazetarëve, ka përdorur taktika të tilla edhe ndaj një diplomati në një rast.
Ka qënë një rast tjetër, që është denoncuar në studion tuaj nga aktivistja Servim Arbana ku ajo tregonte historinë se si ai kishte pickuar një vartëse të tij për diçka që nuk i kishte pëlqyër se çfarë kishte thënë ajo.
Pra ka raste të shumta që Rama e bën me vartësit, e bën me gazetarët. Mbaj mend që Ambrozia Meta para 1 viti e ca ka qënë subjekt i asaj që quante Edi Rama ‘riedukim’. Kishte nevojë të riedukohej duke e detyruar atë të mos i kthente asnjë përgjigje për 60 ditë. Këtë sjellje e ka bërë edhe ndaj gazetarit Klevin Muka i cili e ka shqetësuar me pyetjet e tij.
Është një sjellje tipike e tij i cili tenton ti zvogëlojë njerëzit, tenton ti trajtojë si vartës, njerëz që nuk kuptojnë, njerëz që nuk dinë çfarë pyesin, por e vërteta është krejt ndryshe, sepse të paktën në rastin e sotëm dhe në rastet e tjera, gazetarët kanë bërë pyetje shumë të nxehta shumë pikante të cilat Edi Rama ka mënyrën e vetë të reagimit në këto forma. Kjo është tepër shqetësuese.
Për mendimin tim ka nevojë për një reagim të jashtëzakonshëm ,pasi është rast i përsëritur, ka nevojë për një reagim nga komuniteti i gazetarëve jo vetëm me deklarata por do sugjeroja që gazetarët ta bojkotojnë këtë personazh deri sa ai të kërkonte realisht falje dhe të kuptojë që është ai që ka nevojë për riedukim dhe jo anasjelltas.