Luan në pozitën e mesfushorit defanziv, por di të realizojë super-gola, kryesisht nga distanca. Një të tillë, madje nga mesi i fushës, e shënoi në miqësoren kundër Malmos në shkurt të këtij viti.
Bëhet fjalë për futbollistin nga Kosova, Albert Ejupi, i cili luan te skuadra Varbergs Bois, e cila nga ky edicion do të luajë në elitën e futbollit suedez.
26-vjecari thotë për “Sportin në KTV” se ekipi ku ai luan mund të jetë befasi në sezonin e ri të Superligës së Suedisë, si dhe flet edhe për golat e bukur ndaj Malmos, ku shënoi dhe bëri edhe një asistim, duke u shpallur edhe futbollisti i ndeshjes.
Pas suksesit me Varbergsin në fund të vitit të kaluar, ku realizoi 4 gola e 1 asistim në 29 ndeshje të sezonit, Ejupi ka rënë në sy të disa klubeve të ndryshme evropiane.
Shtatlarti që ka lindur dhe është rritur në Suedi ëndërron që te veshë fanellën e Kombëtares së Kosovës, tek e cila ishte grumbulluar vetëm një herë me grupmoshën U21, kurse më pas më nuk ka pasur kontakt me “Dardanët”.
Ejupi është rritur te Kristianstadi, kurse ka luajtur edhe për Solvesborgsin dhe Mjallbin.
Nga viti 2018 është pjesë e Varbergsit, ku në 55 ndeshje ka shënuar 8 gola, kurse në total ka 174 ndeshje në futbollin suedez, duke realizuar 18 gola për katër skuadra deri me tani.
Albert Ejupi rrjedh nga një familje sportistësh, pasi edhe babai i tij Osmoni ka qenë karateist i njohur, kurse tani me mjaft sukses po e luan rolin e trajnerit në Suedi.