Çmimi i naftës pritet të rriten sërish me 12 lekë ditën e nesërme. Burime për Shqiptarja.com bënë të ditur se vendimi është marrë nga Bordi i Transparencës dhe do të hyjë në fuqi për ditën e nesërme më 26 mars, ku çmimi i naftës do të shkojë në 245 lekë/litri nga 233 lekë/litri që ishte.
Ndërkohë çmimi i benzinës dhe i gazit nuk do të ndryshojnë, ku benzina do të vijojë të jetë 218 lekë/litri dhe gazi 93 lekë/litri.
Aktualisht çmimi i naftës në bursë është 119.4 dollarë për fuçi.
Çdo operator i shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës, është i detyruar të zbatojë Vendimin e Bordit të Transparencës në lidhje më çmimet e shitjes me shumicë dhe pakicë, në të kundërtën do të ndëshkohet duke nisur nga gjoba nga 2 mln lekë për ato që tregojnë me pakicë deri në 10 mln lekë për shumicën, por edhe heqja licencë nëse shkelja është e përsëritur.
Bordi i Administrimit të Karburanteve u ngrit pikërisht për të bërë transparent lëvizjen e çmimit të naftës në bursë e ndikuar nga lufta në Ukrainë dhe shmangien e abuzimeve brenda tregut tonë me karburantet.