Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka deklaruar pas takimit me presidentin e Kosovës se Bashkimi Evropian do të ndërmjetësojë në dialogun Prishtinë – Beograd, pa bërë garë me emisarin e SHBA-së në bisedime, Richard Grenell.
Borell thotë se nuk do të bëjë garë me amerikanët, teksa shton se do të punojnë së bashku.
“Amerikanët kanë shumë plane. Për Lindjen e Mesme, Korenë dhe për këtu. Është një çështje të kesh plan dhe çështje tjetër të angazhohesh për të pasur sukses. Ne kemi investuar më shumë se 1 miliardë. Nuk po bëj garë me amerikanët, do të punojmë së bashku dhe nuk do të ketë ndasi. Ne nuk jemi këtu të vendosim fajin njeri-tjetrit. Ne ndoshta nuk jemi mjaft të zëshëm por jemi mjaft të involvuar në këtë çështje”, thotë Borell, teksa shton se nuk është detyrë e tij që t’i bindë pesë shtete që të njohin Kosovën si të pavarur.
“Nuk është detyra ime t’i bind 5 shtete ta njohin Kosovën. Këtu përfaqësoj BE-në. Nuk do të imponojmë asnjë marrëveshje”, shton ai.
I pyetur se pse nuk është takuar ende me Richard Grenellin dhe a janë në të njëjtën linjë sa i përket dialogut, Borelli thotë se do të punojnë së bashku.
“Ju kuptoj çfarë po thoni. Ne po lehtësojmë dialogun. Të njëjtën gjë po e bën edhe z. Grenell. Nuk po bëjmë garë, duam të punojmë së bashku”, thotë ai.
Pas deklarimit të Borellit, i pari i shtetit tha se është jetike për Kosovën që BE-ja të jetë unike në raport me dialogun.
“Sa i përket dialogut, jetike është që BE-ja të jetë unike në raport me dialogun Kosovë – Serbi. Por që të ketë sukses real duhet të ketë koordinim SHBA – BE, pa këtë bashkëpunim s’mund të ketë sukses. Roli i ShBA-së është i pazëvendësueshëm. Grenelli ka bërë punë të jashtëzakonshme. Marrëveshja finale është jetike për Ballkanin Perëndimor”, ka thënë presidenti Hashim Thaçi.