Kryeministri britanik është vënë me shpatulla pas muri nga deputetët për një festë në oborrin e Downing Street në vitin 2020 gjatë një mbylljeje për shkak të COVID-it. Deputetët e opozitës kërkuan dorëheqjen e tij.
Kryeministri britanik Boris Johnson kërkoi falje të mërkurën për pjesëmarrjen në një festë në rezidencën e tij zyrtare në mes të një mbylljeje (lockdown).
Festa e oborrit ‘sillni pijen tuaj’ u zhvillua në Downing Street në maj 2020, mes kufizimeve të rrepta në të gjithë vendin.
Duke folur në orën e pyetjeve të kryeministrit, Johnsoni tha se kishte “gjëra që thjesht nuk i bëmë si duhet”.
“Unë e di zemërimin që ndihet ndaj meje, ndaj qeverisë që drejtoj, kur mendojnë se vetë në Downing Street rregullat nuk po ndiqen siç duhet nga njerëzit që i kanë vendosur. E megjithatë nuk mund t’i parashikoj përfundimet e hetimit aktual.”
Udhëheqësi i Partisë Laburiste të opozitës, Keir Starmer kritikoi faljen e Johnsonit.
“Mbrojtja e tij, që ai nuk e kuptoi se ishte në një festë, është aq qesharake sa është në të vërtetë fyese,” tha Starmeri.
Një festë “sillni pijen tuaj”
Policia Metropolitane e Londrës ka qenë në kontakt me Zyrën e Kabinetit për takimin e majit 2020, duke shtuar mundësinë e një hetimi më serioz dhe penal.
Sipas ITV, një email i është dërguar nga sekretari kryesor privat i Johnson-it, Martin Reynolds, më shumë se 100 punonjësve.
“Pas një kohe tepër të ngarkuar, do të ishte mirë të shijonim motin e mirë dhe të pijmë disa pije në distancë në oborrin e shtëpisë nr. 10 sonte,” shkruante Reynolds në email. “Bashkohuni me ne nga ora 18:00 dhe sillni pijen tuaj!”
Rreth 40 vetë u mblodhën si përfundim në oborr për festën, duke përfshirë Johnsonin dhe gruan e tij Carrie, sipas ITV.
Në atë kohë, publiku lejohej të takonte vetëm një person nga një familje tjetër jashtë, shkollat ishin të mbyllura për shumicën e studentëve, baret dhe restorantet ishin të mbyllura dhe njerëzit ndaloheshin të hynin.
Edhe takime të tjera që thyejnë rregullat në Downing Street
Qeverisja e Johnsonit u njollos nga disa akuza për shkelje të masava të mbylljes, që u ngritën në vitin 2020.
Këto përfshijnë festimet e Krishtlindjeve në nëntor dhe dhjetor 2020.
Ngjarja e majit ndodhi në të njëjtën ditë kur qeveria kujtoi se takimet në grup ishin të ndaluara brenda dhe jashtë.
Johnsoni kishte mohuar më parë se e dinte që është thyer ndonjë rregull në Downing Street, por akuzat e fundit duket se kundërshtojnë drejtpërdrejt këto pretendime.
Sue Grey, një nëpunëse e lartë civile, po hetonte gjithsesi akuzat për pesë festa të mbajtura vitin e kaluar në departamentet qeveritare gjatë kohës së mbylljes. Hetimi i saj tani është zgjeruar për të përfshirë akuzat e fundit.
Qeveria e Boris Johnsonit është nën hetim për akuzat se disa festa u mbajtën gjatë bllokimeve në 2020 në Mbretërinë e Bashkuar.
A do të japë dorëheqjen Boris Johnsoni?
Hetimi do të “përcaktojë faktet dhe nëse zbulohet shkelje, do të ndërmerren masa disiplinore,” u tha ligjvënësve të martën, gjenerali Michael Ellis.
Ellis pohoi gjithashtu se “kryeministri nuk po shkon askund” kur deputetët kërkuan dorëheqjen e tij ose largimin e detyruar.
Dy sondazhe kanë sugjeruar se shumica e opinionit publik beson se Johnson duhet të japë dorëheqjen.
Një sondazh i YouGov me 5,391 persona të martën zbuloi se 56% e njerëzve besonin se Johnsoni duhet të largohej.
Një sondazh nga Savanta ComRes tregoi se 66% e të anketuarve besonin se Johnsoni duhet të largohej, një rritje prej 12 pikë përqindjeje nga një sondazh i bërë në dhjetor pas raportimeve për festat e Krishtlindjeve.
Sondazhi zbuloi se 42% e njerëzve që votuan për Johnsonin në 2019 besonin se ai duhet të largohej, 9 pikë më shumë.
aud (ap, afp, Reuters)