Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka reaguar pas aksionit të sotëm të Policisë së Kosovës ne veri të vendit, duke thënë se “incidentet duhet të ndalen menjëherë.
Sipas tij, të gjitha çështjet duhet të adresohen në dialogun që po e lehtëson Brukseli.
“Incidentet e dhunshme në veri të Kosovës duhet të ndalen menjëherë. Veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara që rrezikojnë stabilitetin janë të papranueshme. Të gjitha çështjet e hapura duhet të adresohen përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Ne jemi në kontakt me Beogradin dhe Prishtinën”, ka shkurar Borrell në Twitter.
Gjatë aksionit të sotëm të Policisë dhe Doganës për të luftuar kontrabandën, në veri të vendit janë lënduar gjashtë policë. Aksioni ishte i shtrirë në shumë qytete ku u arrestuan tetë persona, e tre prej tyre në veri.