Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ndau mendimet e tij mbi zgjedhjet për kryetar bashkie të Nju Jorkut në emisionin ’60 Minutes’ të CBS të dielën. Korrespondentja e CBS News, Norah O’Donnell e pyeti Trumpin për zgjedhjet që do të mbahen të martën duke evidentuar se Zohran Mamdani, një social-demokrat 34-vjeçar është kandidati kryesor.
“Një komunist, jo socialist, e ndërpreu Trump. Ai është shumë më i keq se një socialist”, tha Trump.
Kur konstatoi se disa e krahasojnë me Trump për karizmën dhe faktin që thyen rregullat e vjetra, Presidenti i SHBA tha: “Epo, mendoj se jam shumë më i bukur se ai, apo jo?”.
Pastaj O’Donnell e pyeti se çfarë do të bënte nëse Mamdani, të cilin e quante komunist, do të bëhej kryetar bashkie.
“Do të jetë e vështirë për mua si president t’i jap shumë para Nju Jorkut. Sepse nëse keni një komunist që drejton qytetin tuaj, e tëra çfarë bëni është të hidhni paratë që po dërgoni atje. Nuk e di nëse ai do të fitojë dhe nuk jam një fans i madh i Cuomo-s, por nëse më duhet të zgjedh midis një demokrati të keq dhe një komunisti, gjithmonë do të zgjedh demokratin e keq, le të jemi të sinqertë“, tha Trump.
Muajin e kaluar, Trump refuzoi të mbështeste ndonjë kandidat në garën për Nju Jorkun, përfshirë republikanin Curtis Sliwa, por shtoi se do të takohej me Mamdanin nëse ai fiton.
“Po, do të flas me të. Mendoj se kam detyrim të flas me të”, u shpreh Trump.
Sipas sondazheve, Mamdani aktualisht kryeson ndaj ish-guvernatorit të Nju Jorkut, Cuomo, me të paktën dhjetë pikë përqindjeje.




