Zv.kryeministri Erjon Braçe tha sot në një dalje të posaçme për mediet se dënimi i ish-drejtorit të Kadastrës Durrës ka ndodhur pas një kallëzimi anonim drejtuar Arian Ndojës prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme.
Braçe sqaroi praninë e tij dje në një proces të hapur publik për të gjithë, “meqenëse paska tronditur disa hajdutë kjo akuzë ndaj një nëpunësi të shtetit, drejtues i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës. Një prokuror ka ngritur një akuzë ndaj këtij nëpunësi dhe është detyra ime të shkoj të dëgjoj akuzën, në një proces që duhet të jetë i hapur, transparent, i barabartë, mbështetur në fakte dhe në prova dhe pa më të voglin dyshim profesional”, – tha ai.
“Nuk është fare ajo që ka cituar në publik prokurori. Nuk është fare ajo që ka servirur për gazetarët e tij, prokurori. Nuk ka lidhje fare me ish-drejtorin e ALUIZNI-t, ndaluar pak ditë më parë në Durrës. Nuk ka lidhje fare me ish-drejtorin e hershëm të ALUIZNI, që është në arrati sot. Nuk ka lidhje fare me grabitjen e pronave. Është një çështje tjetër shumë e thjeshtë. Kompania “Lura” sh.p.k ka ndërtuar me çdo leje të mundshme, përfshirë dhe atë të kolaudimit, marrëveshje dhe kontrata legale me pronarët e një pjesë të truallit kompleksin “Lura 3”, ka aplikuar për të regjistruar sipas ligjit çdo leje dhe është shërbyer konform ligjit. Ka aplikuar për të regjistruar çdo objekt të ndërtuar sipas lejeve të marra më herët dhe të regjistruar me kufizime me certifikatë për objektet që janë pjesë takuese e pronarëve të truallit sipas marrëveshje respektove. Është shërbyer konform ligjit edhe në këtë. Kjo është çështja. Pra nuk ka lidhje me grabitje pronash në gjirin e Lalëzit, as me legalizime objektesh që nuk janë ndërtuar kurrë ndonjëherë përpara. Askush nga palët në këtë çështje, as investitori, as ndërtuesi, as pronarët e truallit nuk janë ankuar, apo nuk kanë kaluar për procedurat e ndjekura në zyrat e shtetit”, – tha ai.
“As investitorit, as ndërtuesit, as pronarëve të truallit, as shtetit nuk i është shkaktuar ndonjë dëm. Po kush ka kallëzuar dhe a është i dëmtuar ai që ka kallëzuar? Ka kallëzuar një njeri anonim. Të gjithë përfituesit nga lejet e ndërtimit dhe marrëveshja janë të padëmtuar. Pra ka kallëzuar një anonim pa lidhje me çështjen, fare”, – theksoi Braçe.
“Kallëzimi i është drejtuar këtij prokurori. Prokurori ia fshehu dje gjykatës. Ky është kallëzimi anonim, drejtuar Arian Ndojës prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme. Në asnjë rresht të tij, kallëzuesi nuk përmend drejtorin e ASHK-së në Durrës. Kallëzuesi në asnjë rresht të tij nuk kallëzon në prokurori për shpërdorim të detyrës drejtorin e ASHK-së në Durrës. Kjo është e vërteta e parë”, – tha ai.
Braçe thekson se ky prokuror ka marrë një kallëzim nga një shtetas anonim, por njohës i procedurës së ASHK-së nga përmbajtja, ku përmenden e akuzohen, nëpunës, ish-nëpunës, por jo i vetmi i vënë nën akuzë nga ky prokuror dhe që është dhe në burg drejtori i ASHK-së në Durrës. Kallëzimi penal ka nisur nga një person anonim, ku drejtori i ASHK-së së Durrësit nuk përmendet gjëkundi. “Ky fakt iu fsheh dje gjykatës”, – tha Braçe.
“Prokurori mashtroi gjykatën dje, ku si pikënisje të këtij hetimi tregoi Drejtorinë e Policisë Durrës sektorin e saj të krimit në ekonomi, e cila nuk ka dijeni dhe nuk ka krye asnjë hetim për këtë çështje. Prokurori mashtroi gjykatën dje kur tha se kontrata mes pronarit dhe investitorit janë në pritje të pjesës takuese, pra të pa individualizuara për pronarët, duke synuar të mbështes akuzën për tjetërsim të pasurisë. Unë kam të gjitha kontratat që prokurori nuk ia tregoi gjykatës dje. Janë kontrata të depozituara në ASHK, ku pjesa takuese është individualizuar me objekt për çdo pronar”, – sqaroi ai.
Në vijim, Braçe sjell argumente se prokurori mashtroi gjykatën në të gjitha rastet dhe pretendimet e tij.
“Prokurori mashtroi dje gjykatën, kur tha se për certifikatat e lëshuara për kompaninë ‘Lura’ për objektet e ndërtuara te ‘Lura 3’ nuk janë vënë kufizime. Unë verifikova dje kufizimet në sistemin digjital të ASHK-së Durrës në të cilat rezultojnë kufizimet e vendosura për njësitë që janë nënkontratë të ndara për pjesën takuese e ish-pronarëve sipas kontratave respektive. Prokurori mashtroi gjykatën dje kur tha se kanë ndodhur 30 transaksionet mes 90 njësive të ndara si pjesë takuese për pronarët e truallit. Unë verifikova në AKSH faktin se në asnjë nga 90 njësitë e pronarëve të truallit të jenë nënshtruar një transaksioni tregtarë që do të kishin tjetërsuar pronën e tyre sipas marrëveshjes kontraktuale midis kompanisë dhe pronarëve të truallit. Prokurori mashtroi gjykatën dje me dëshminë e një pronari trualli në konflikt të njohur me kompaninë ‘Lura’. Unë verifikova dje ASHKA Durrës harta dhe zotëria i dëshmisë sjellë nga prokurori para gjykatës, zotëron një truall të pretenduar disa kilometra larg nga kompleksi ‘Lura 3’ me kompleksin ‘Lura 1’ që nuk është fare objekt diskutimi në çështjen për të cilën është shprehur prokurori dhe për të cilën ka marrë vendim gjykata”, – tha ai.
Braçe tha se të gjitha faktet janë në zyrat e ASHK. “Punonjësit më thanë dje se ia kanë ofruar prokurorit, por ai nuk i ka pranuar”, – theksoi ai.
“Të gjitha këto mashtrime më bëjnë të dyshoj se ky është një krim që i ka marrë lirinë prej katër ditësh një shtetasi. Krim më të rëndë nuk ka?! Krim më të madh se marrja e lirisë së një shtetasi përmes sistemit të drejtësisë nuk ka? Dështim më të madh për sistemin e drejtësisë nuk ka. Ky është akti i fundi final i një serie të gjatë kërcënimesh e shantazhesh njëmujore ndaj drejtuesit të ASHK-së në Durrës. E shantazhuan për ta larguar nga Durrësi me para të neveritshme, “sa të kushton vendi i punës ty”. Dhe herë tjetër brutalisht, “ik nga Durrësi, e ik tani””, – tha zv.kryeministri.
“E arrestuan dhe e mbajnë në burg vetëm për ta hequr nga Durrësi. Në Durrës prokurorë dhe gjykatës herë për interesa të tyre, dhe herë për interesa të sipërmarrësve apo banditëve që sillen si sipërmarrës duan me patjetër akses në ASHK. Kanë bërë politikën e kuadrit, duan ta bëjnë ende. Ne nuk jemi ata, nuk i kemi dëgjuar nuk do t’i dëgjojmë dhe s’kemi për t’i dëgjuar kurrë. Nuk ndikohemi prej tyre e nuk do ndikohemi kurrë nga ata për të afruar akses të paligjshëm në zyrat e shtetit”, – tha ai.