Brazili është bërë vetëm shteti i pestë në 121 vjet futboll në Olimpiadë që me sukses e mbron medaljen e artë në futbollin e meshkujve.
Të shtunën, brazilianët në “International Stadium” në Yokohama, fituan me rezultatin 2:1 përballë Spanjës, pas vazhdimeve.
Spanjollët luajtën më mirë në fillim të ndeshjes dhe patën shanse për gol pas aksionit të organizuar nga Marco Asensio dhe Mikel Oyarzabal, por Dani Olmo nuk arriti që të shënojë.
Brazili u kundërpërgjigj mirë. Fitoi penallti në minutën e 37, pasi VAR-i tregoi se portieri Unai Simon e pengoi Matheus Cunhan në zonë.
Megjithatë, Richarlisoni, golashënuesi më i mirë i turneut me pesë gola, nuk arriti të shënojë në portën e Simonit dhe gjuajti lartë.
Por, brazilianët vazhduan me lojë të mirë dhe shënuan në minutën e dytë të kohës shtesë në pjesën e parë. Cunha e konkretizoi në gol aksionin e nisur nga Dani Alves. Për Cunhan ishte goli i tretë i turneut.
Spanja nuk u dëshpërua dhe barazoi pas një ore lojë. Oyarzabal gjuajti bukur pas harkimit të Carlos Solerit.
Bryan Gil ishte shumë afër që t’ia siguronte të artën Spanjës, por nuk ishte i saktë sa duhej.
Në vazhdime dy herë nga 15 minuta, më e mirë ishte Brazili pasi shënoi nëpërmjet zëvendësuesit Malcolm, në minutën e 108 të ndeshjes.
Spanja e fitoi medaljen e artë në vitin 1992 dhe e kërkonte titullin e dytë në Lojëra Olimpike.
Meksika e mposhti Japoninë 3:1 dhe e fitoi medaljen e bronztë në Saitama të premten.