Albania
Breçani për Ervin Matën: Është i infiltruar i policisë në grupet kriminale!
Ervin Mata është njohur deri tani si ish-i dashuri i Elvana Gjatës dhe si një nga njerëzit që kryente transport të kokainës nga vendet e Amerikës Latine në Evropë, por për Erzen Breçanin, Mata është edhe një i infiltruar i policisë në grupet kriminale.
Kështu del në një bisedë të përgjuar të SKY ECC kur Erzen Breçani bisedon me të birin Eralbin, të cilin e këshillon të ketë kujdes kur flet me kunatin e tij, Ervin Matën.
“Erzen Breçani i tregon të birit në vazhdim si të komunikoj me Ervin Matën dhe si të flasë në takim duke i dërguar mesazhet: ‘….Nuk merrem thuej me asgja. Baba e mixht e mij i kan ba tre miljon euro për pes vjet, e na kan majt me lek, me shpia, me pun të pastër, dhe un do jem i zoti me i ba tre miljon euro me mixhen tem pa drog, pa pun te pista, kaq asht e vërtet dhe thuja në mes tanve….Mos fol gja në sy të tij pun droge e gjana se asht i infiltruar i policis në grupet kriminale se kam pyet qysh herën e parë…’.
Nga këto tekste të dërguara nga Erzen Breçani krijohen dyshime se ai është në dijeni të aktivitetit që ushtron Eralbi Breçani, kur dërgon tekstin ‘mos fol gja në sy të tij për punë droge…”.
Po ashtu në një bisedë tjetër të dokumentuar në dosjen e SPAK, lexohet se Erzen Breçani komunikon me të birin për paratë e një HEC që do të ndërtojnë dhe për të cilin thotë se Mata i ka ofruar 500 mijë euro.
“Erzen Breçani flet me të birin dhe i tregon që aparatin telefonik ja ka dhënë Bujar Ajeti për shkak se janë përgjuar. Erzen Breçani i tregon që ka patur një bisedë me Ervin Matën dhe ky i fundit i ka ofruar 500 mijë euro borxh për ta ndihmuar për ndërtimin e një HEC-i, por Erzeni ka refuzuar. Në bisedë më Eralbi Breçanin i tregon për HEC-in dhe etapat e ndërtimit që po zhvillohen aty. Ai i kërkon të birit që mos të vazhdojë më aktivitetin e tij jashtë shteti duke rrezikuar, ku dyshohet që i referohet aktivitetit të jashtëligjshëm me lëndët psikotrope që zhvillon Eralbi Breçani dhe për ti vënë në dukje rrezikshmërinë i tregon edhe për rastin që e ka përgjuar policia së bashku me Bujar Ajetin. SPAK thotë se Erzen Brecani ka marrë më pas nga i biri shumën prej 350 mijë eurosh dhe ka blerë turbinat për HEC”, thuhet në dosje.
Marrja e kësaj shume të konsiderueshme parash nga i biri, që del se i ka përftuar këto para nga aktiviteti i paligjshëm i drogës me të cilin po merret, ka çuar edhe në akuzën e ngritur nga SPAK në drejtim të Erzen Breçanit, për pastrim parash.
Për këtë shkak shtetasi Erzen Breçani dyshohet për pastrim parash, sepse dyshohet se ai ka dijeni për aktivitetin ku ishte përfshirë i biri.
Nga biseda e zhvilluar krijohen dyshime se shtetasi Eralbi Breçani ka dërguar një shumë prej 350 mijë euro tek Erzen Breçani para zhvillimit të kësaj bisede. Po në vazhdim të komunikimit, Erzen Breçani duke i shpjeguar të birit situatën, se Ervin Matës nuk i kërkon para. Por nëse do kishte nevojë për para do ja kërkonte babait të tij, Luanit, të cilit i referohet në bisedë me ‘Luan’. Ai më pas komunikon me të për detaje që lidhen me aktivitetin kriminal.
Albania
Anomalia e buxhetit, 2 miliardë euro shpenzime në dhjetor
Buxheti i shtetit po “vuan” nga një sëmundje kronike. Taksat mblidhen, por nuk shpenzohen. Të dhënat flasin se vetëm për muajin dhjetor fondet buxhetore që duhen të shpenzohen janë afro 2 miliardë euro. Ky përqendrim i fondeve vetëm në një muaj, për ekspertin e ekonomisë Albert Gajo, tregon anomali. I ftuar në emisionin E-ZONE, z. Gajo tha se shkaku kryesor vjen nga keqplanifikimi.
“Zbatimi i buxhetit me akte normative nuk është një tregues normal, është një tregues për një realitet anormal. Në plan të parë, kjo situatë vjen nga keqplanifikimi. Ministria përgjegjëse ka dëshmuar ndër vite që nuk ka mundur të planifikojë si duhet buxhetin, çka do të thotë se po ia lëmë rastësisë dhe, në varësi të asaj që sjell koha, hartojmë aktet normative. Kjo nuk është e shëndetshme ekonomikisht” – tha Gajo.
Gjatë kësaj jave, qeveria me aktin e katërt normativ ndryshoi sërish buxhetin. Në fokus ishte ndarja e një bonusi prej 15 mijë lekësh për familjet në nevojë.
Paralelisht, përveç bonusit, pati edhe një rishpërndarje të fondeve, ku një fond i konsiderueshëm i pashpenzuar kaloi në llogarinë e posaçme të hapur pranë Bankës së Shqipërisë për skemën e pensioneve.
“Pas keqplanifikimit, një tjetër arsye pse jemi në këtë situatë është edhe aftësia e administratës publike për të zbatuar në kohë zërin e investimeve. Vonesat në lidhje me realizimin e investimeve publike lidhen edhe me mungesën e profesionalizmit të stafit në agjencitë publike. Jemi një vend që po kërkojmë të hyjmë në BE, por nuk po i përdorim si duhet fondet tona të brendshme, ndërkohë që duhet edhe të përthithim ndihma fondesh nga BE-ja” – tha Gajo.
Eksperti Gajo thotë më tej se bonuset janë një politikë e paqëndrueshme, pra individët nuk mund të bëjnë dot parashikime të shpenzimeve, pasi nuk kanë qartësi. Ndaj, një praktikë e tillë, edhe pse e domosdoshme për familjet në nevojë, nuk është e këshillueshme të zhvillohet në mënyrë rastësore.
Albania
VIDEO/ Protesta në Vlorë për mungesën e ujit, qytetarët futen në teatrin “Petro Marko” dhe ndërpresin mbrëmjen gala të bashkisë
Një protestë ka ndodhur në ambientet e teatrit “Petro Marko” në Vlorë për shkak të mungesës së ujit prej tre ditësh.Qytetarët janë futur në ambientet e teatrit dhe kanë ndërprerë gjithashtu një mbrëmje gala që zhvillohej aty.
Ata u futën me bidonë dhe pankarta në duar për të kërkuar rikthimin e ujit, ndërkohë që mbrëmja gala u ndërpre pasi protestuesit refuzuan të linin ambientet e teatrit.
Albania
“Katolikët monitoroheshin, myslimanët përgatitnin ushqimet për ta” – si festoheshin Krishtlindjet në komunizëm në Shqipëri
Dom Mark Pashkja, zëdhënës i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, foli në lidhje me Krishtlindjet dhe mënyrën se si festoheshin ato në kohën e komunizmit, kur feja ishte e ndaluar.
Ai tregoi për një fenomen interesant që ndodhte në ato kohë në zonat e Shkodrës, ku shumë familje katolike shkonin te ato myslimane dhe u kërkonin që ato të përgatisnin ëmbëlsirat dhe gatimet për festën e Krishtlindjes, pasi vetë ato monitoroheshin.
“Shumë familje katolike shkonin te miqtë myslimanë dhe u thoshin që ëmbëlsirat dhe ushqimet tipike t’i përgatisnin ata dhe më pas, në mënyrë të fshehtë, një ose dy ditë para festës, familjet myslimane ua çonin familjeve katolike. Në këtë mënyrë festonin pa rënë në sy. Nuk mund të bënin vetë ëmbëlsira, pasi kjo ishte shenjë se po festoje dhe se nuk i kishe përqafuar mësimet e partisë dhe ateizmin, ku kisha konsiderohej armike e proletariatit. Ishte një natë ku shqiptarët provonin ato copëza aromash lirie, pasi festonin diçka që e kishin identitare, si lidhjen me Zotin. Në këto net, si Krishtlindjet, ishte hera e parë kur njeriu provonte të përtejmen, pavarësisht se unë vetë nuk e kam përjetuar”, tha ai.
-
Albania1 day agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
Albania6 hours agoVIDEO/ Protesta në Vlorë për mungesën e ujit, qytetarët futen në teatrin “Petro Marko” dhe ndërpresin mbrëmjen gala të bashkisë
-
Albania6 hours agoAnomalia e buxhetit, 2 miliardë euro shpenzime në dhjetor
-
UK1 day agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Albania8 hours ago“Katolikët monitoroheshin, myslimanët përgatitnin ushqimet për ta” – si festoheshin Krishtlindjet në komunizëm në Shqipëri
-
UK6 hours ago
Princi William dhe Kate Middleton vendosën vijë sigurie 9.6km rreth rezidencës së tyre të re, reagojnë banorët e zonës: Masa të tepruara dhe pa konsultim
-
Bota6 hours agoPresidenti i Ukrainës, Zelensky mbërrin në Mar-a-Lago, takohet me presidentin Trump
-
Kosova8 hours agoDalin Exit Poll-et e para, Vetëvendosja rikonfirmohet forcë e parë, Hamza 23.9 përqind, Abdixhiku 16.1 përqind
