Europa është një lider botëror në zhvillimin dhe prodhimin e vaksinave, deklaroi eurokomisioneri përgjegjës për Strategjinë e Vaksinimit antiCOVID-19, Thierry Breton, duke theksuar se deri në fund të vitit BE do të arrijë një kapacitet vjetor prodhimi prej 2-3 miliardë dozash.
“Kapaciteti i prodhimit në Europë po rritet me shpejtësi. Në janar u prodhuan 14 milionë doza, në shkurt 28 milionë, në mars presim më shumë se 60 milionë dhe në tremujorin e dytë do të kemi të paktën 100 milionë doza për muaji”, shpjegoi Breton.
“Duke u bazuar në këto shifra, ne presim që Europa të jetë në gjendje të prodhojë dhe të shpërndajë mjaft vaksina në Shtetet Anëtare deri në mes të korrikut për të mundësuar qeveritë kombëtare të kryejnë fushatat e tyre të vaksinimit dhe për të arritur imunitetin (70% e popullsisë së rritur)”, shtoi ai.
Eurokomisioneri vuri në dukje se “vitin e kaluar BE përfundoi kontrata me gjashtë kompani farmaceutike që po zhvillonin vaksina të mundshme, duke siguruar një portofol prej mbi 2,6 miliardë dozash, por për të prodhuar vaksina në këtë shkallë është e domosdoshme një rritje e paparë e kapacitetit të prodhimit në të gjithë Europën.