Kryeministri britanik, Boris Johnson e ka vendosur daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian, në fund të janarit, në krye të programit politik kombëtar, njoftoi mbretëresha Elisabeth e II në fjalimin e saj tradicional në dhomën e lordëve ku edhe paraqiti programin e qeverisë së re dhe prioritetet e saj.
Dalja nga BE më 31 janar, pas tre shtyrjesh, më pas kërkesa për vendosjen e marrëveshjeve të tregtisë së lirë me fuqitë e mëdha dhe investimi në sistemin shëndetësor për t’iu përgjigjur pritshmërive të zgjedhësve të bastioneve laburiste që pësuan humbje… Një javë pas suksesit të tij triumfues në zgjedhjet legjislative të parakohshme, drejtuesi konservator prezantoi prioritetet e qeverisjes së tij.
“Prioriteti i qeverisë sime është të realizoj largimin e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian më 31 janar. Ministrat e mi do të fillojnë të paraqesin legjislacionin e nevojshëm për të garantuar daljen e Britanisë së Madhe në këtë datë dhe për krijuar mundësitë maksimale për të gjithë popullin në vend”, theksoi Mbretëresha Elisabeth.
“Ministrat e mi do të kërkojnë të vendosin një marrëdhënie të ardhshme me BE-në të bazuar në një marrëveshje të tregtisë së lirë nga e cila përfiton e gjithë Britania e Madhe”, shtoi mbretëresha, fjalimi i së cilës shënoi edhe hapjen e seancës së re parlamentare.
Johnson do të prezantojë nesër një ligj për aplikimin e marrëveshjes së divorcit të negociuar me Brukselin, që synon t’i japë fund marrëdhënies së vështirë 47-vjeçare dhe psikodramës që pasoi referendumin e vitit 2016./ATSH/