Rreth një mijë vende në Kosovë, konsiderohen si atraktive për turizëm dhe preferohen për t’u vizituar. Kështu thonë përfaqësues të shoqatave të turizmit në vend, sipas të cilëve, këtu hyjnë hapësirat për zhvillimin e turizmit veror dhe dimëror.
Turizmi dimëror në Kosovë zhvillohet në viset malore dhe si vende me potencial më të rëndësishëm konsiderohen Qendra e Skijimit “Brezovica” në Malet e Sharrit, Rugova dhe Dragashi.
Megjithëkëtë, mungesa e investimeve mbetet evidente prej vitesh, thonë qytetarët që i vizitojnë këto zona.
Njëra prej qendrave më të mëdha turistike dimërore, Brezovica, sipas qytetarëve nuk i përmbush as nevojat elementare për vizitorë.
Burim Mehmeti, i cili e frekuenton shpesh Qendrën e skijimit në Brezovicë gjatë sezonit të dimrit, thotë se kjo qendër lë shumë për të dëshiruar. Sipas tij, ky vend nuk i përmbush as kushtet elementare për vizitorë.
“Kushtet në Brezovicë janë larg asaj të pranueshmes. Do të thotë nuk janë as ato elementare, për shembull nuk ka mirëmbajtje të teleferikëve, nuk ka parking, nuk ka auto-ambulancë, policia është inekzistente. Do ta marr një shembull, kur edhe dje isha prezent në qendër të skijimit, një vajzë e vogël nga skilifti u kap nga një motor i borës dhe fatmirësisht kaloi me lëndime të vogla. Brezovica është shndërruar në një qytezë pa semaforë, një kaos urbanistik i paparë deri tash dhe mund të them që ky vend lë shumë për të dëshiruar”, thotë Mehmeti për Radion Evropa e Lirë.
Ndryshe, në vitin 2014, konsorciumi francez “MDP Consulting –Compagnie des Alpes” ishte shpallur fitues për privatizimin e qendrës turistike në Brezovicë, me një çmim prej 409 milionësh euro, nga të cilat 165 milionë pritej të investoheshin gjatë tri viteve të para, si dhe ishte premtuar hapja e 4.000 vendeve të reja të punës.
Në investime parashihej zgjerimi apo krijimi i shtigjeve të klasit botëror për skijim , të pajisura me rreth 20 teleferikë dhe pajisje tjera moderne, me standarde të sigurisë dhe të kualitetit më të lartë në rajon.
Në qershor të vitit 2017, Qeveria e Kosovës pati përmbyllur si të dështuar procesin e koncesionimit të Qendrës turistike “Brezovica”, pasi që konsorciumi francez “MDP Consulting –Compagnie des Alpes”, pati dështuar të përmbushë përmbylljen financiare dhe të sigurojë mjetet e nevojshme për implementimin e fazës së parë për zhvillimin e projektit të Brezovicës.
Kompleksi turistik “Brezovica”, ndodhet në pjesën veriperëndimore të maleve të Sharrit, në Komunën e Shtërpcës, e banuar me shumicë serbe.
Dështimin e privatizimit të kompleksit turistik “Brezovica” e shohin si negative edhe vetë qytetarët.
Besim Jakupi, vizitor i shpeshtë i qendrës së skijimit atje, thotë se tash për tash kjo qendër nuk i plotëson nevojat elementare për vizitorët.
“Unë mendoj që fatkeqësia më e madhe për Brezovicën ka qenë dështimi i privatizimit të saj, sepse ajo është zgjidhja e vetme për ta bërë një qendër skijimi ashtu siç i ka hije. Përndryshe, nuk i plotëson kushtet minimale, qoftë për siguri, qoftë për skijim, qoftë për vizitorë… për askënd. Policë nuk kam parë asnjëherë, e frekuentoj shpesh për shkak të natyrës së bukur që kaajrit të pastër, nuk ka ambulancë, shtigjet nuk janë të shënuara si duhet, teleferikët janë të pambajtur si duhet”, thotë ai për REL-in.
Ndryshe, Brezovica është qendër e njohur turistike që gjendet në lartësi mbidetare prej 900 deri në 2,522 metra, me një hapësirë prej 2,500 hektarësh dhe është larg vetëm 60 kilometra nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës.
Udhëheqësi i Shoqatës së Turizmit në Kosovë, Zekë Çeku, thotë për Radion Evropa e Lirë se kompleksi turistik “Brezovica”, ka potencial të jashtëzakonshëm dhe se zgjidhja më e mirë për këtë aset ka qenë privatizimi i tij.
“Malet e Kosovës jo që investohet në to, por janë kthyer prapa në zhvillimin e turizmit dimëror, fatkeqësisht në aspektin e degradimit, sidomos qendra e skijimit të Brezovicës dhe mungesës së skajshme të institucioneve shtetërore për të organizuar privatizimin e Brezovicës, së pari, e më pas dhe tërheqjen e investimeve nga diaspora”.
“Ngecje ka edhe në Sharr, në Bjeshkët e Deçanit, Junikut, ku po ashtu ka potencial të madh, mund të thuhet më të madhin në rajonin e Evropës Juglindore, pasi ashtu edhe është vlerësuar”, thotë Çeku.
Ndërkaq Arben Islami, udhëheqës i Organizatës joqeveritare ‘Kosova Hiking Trips’ dhe ‘Snow Njeri’, organizata këto që në mënyrë vullnetare bëjnë promovimin e bjeshkëve dhe natyrës së Kosovës, thotë se që nga vitet ’80 nuk është investuar në qendrën e skijimit “Brezovica”.
Por, pavarësisht mungesës së investimeve, sipas tij, pozita gjeografike e qendrës së skijimit, i shtyn qindra skitarë nga Shqipëria, Sllovenia, Bosnjë e Hercegovina që të vijnë në Brezovicë.
“Investimet, sidomos në Brezovicë janë të mangëta, pothuajse fare nuk bëhet nga institucionet e shtetit. Çka ka ndryshuar është numri më i madh i vizitorëve. Ka shumë turistë nga Shqipëria, Sllovenia, Bosnja, por edhe turistë nga gjithë Kosova. Kohëve të fundit kanë ardhur me qindra skitarë nga rajoni, më pyesin a ka borë dhe a mund të vijmë në skijim. Ne kemi male të larta deri në 2500 metra, të cilat kanë ende borë për disiplina të rralla, e që mund të shfrytëzohet snow-boardi pasi kemi male të larta”, shprehet Islami.
Sipas të dhënave të fundit nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, numri i turistëve në Kosovë për periudhën janar, shkurt, mars 2019, ka qenë 27.312 vizitorë vendorë me 41.647 net qëndrimi, ku sipas statistikave del se ka pasur rritje të vizitorëve për 15% nëse krahasohet me vitin 2018.
Destinacionet më të frekuentuara ishin Peja me 17.000, Prishtina 11.000 dhe Prizreni me 6.500 vizitorë.
Sa u përket turistëve ndërkombëtarë, gjithashtu sipas Agjencisë së Statistikave, ka pasur rritje prej 20% në dallim nga tremujori i parë i vitit 2018, saktësisht nga 36968 vizitorë me 51.132 fjetje, me atë të vitit 2019, ku janë regjistruar 37953 vizitorë me 63.260 fjetje.
Kanë dominuar turistët nga Shqipëria rreth 15.000, pasuar nga Gjermania 5.000, Turqia 5.000 dhe Zvicra 4.000 turistë.