Një zjarr i madh është përhapur në qytezën bregdetare italiane Peskara. Më shumë se 100 persona janë evakuuar nga shtëpitë e tyre, derisa dhjetëra qytetarë të tjerë janë dërguar në spital.
Pesë ekipe zjarrfikësish italianë janë dërguar me dy helikopterë për të vënë gjendjen nën kontroll. Vala e të nxehtit ka përfshirë mbarë Evropën jugore.
Gjendja është vështirësuar edhe më shumë prej ajrit të nxehtë që fryn nga Afrika Veriore, e cila ka ndikuar në përhapjen e zjarreve përgjatë krejt brigjeve mesdhetare.
Turqia po vazhdon të përballet për të gjashtën ditë me radhë me zjarret në zonat e mbushura me turistë.
Zjarrfikësit kanë luftuar me flakët, derisa ekipet zjarrfikësish nga Bashkimi Evropian po përgatiten për t’iu dalë në ndihmë kolegëve turq.
Puna për kontrollimin e vatrave të zjarreve po vështirësohet prej erërave të fuqishme dhe të nxehta.
Turqia deri tani ka raportuar për tetë persona të vdekur si pasojë e zjarreve. Turistët dhe qytetarët e zonave bregdetare janë parë duke ikur me varka dhe makina, pasi zona po kaplohet nga flakët.
Shumë banorë kanë thënë se ua kanë kthyer shpinën kafshëve nga frika se mund të ngufateshin po të provonin t’i shpëtonin ata në rajonet më të prekura.
Ndërkaq, me vatra të shumta të zjarreve është përballur edhe Greqia dhe vendet e tjera mesdhetare.