Presidenti Ilir Meta ka uruar peshëngritësin Briken Calja pas shpalljes kampion bote në stilin e shkëputjes.
“Urime peshëngritësit tonë të shkëlqyer të rekordeve historike, Briken Calja, fitues i 1 medalje ari dhe 2 argjendi, në Kampionatin Botëror të Peshëngritjes. Një sukses madhështor i tij, që na bën krenar të gjithëve”, shprehet Meta.
Kryeministri Edi Rama ka vlerësuar talentin e peshëngritësit Briken Calja, i cili u shpall kampion në stilin e shkëputjes.
Rama thekson se Briken Calja u ngjit në majën e botës pa e humbur kurajon e as durimin.
“Kampion bote. Briken Calja, talenti me vullnet të hekurt, meriton sot një përulje me respekt, sepse ia doli të ngjitet në majën e botës pa e humbur kurajon e as durimin, në të përpjetën e vështirë dhe të rrëshqitshme drejt majës”, shprehet Rama.
Po ashtu, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla ka uruar peshëngritësin Briken Calja pas shpalljes kampion bote.
Balla tha se, “Shqipëria ka një kampion bote Briken Calja. Urimet më të mira djalit të shkëlqyer nga bashkia e Cërrikut. Brikeni u shpall kampion bote në stilin e shkëputjes dhe nënkampionë shtytje në peshën deri 73 kg”.
Edhe kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka uruar sot kampionin e peshëngritjes Briken Calja.
“Urime Kampion. Briken Calja, shpallet kampion bote në stilin e shkëputjes në peshën deri 73 kg”, shprehet Veliaj.
Peshëngritësi shqiptar Briken Calja është shpallur këtë të premte kampion bote në stilin e shkëputjes. Në kampionatin Botëror të Peshëngritjes që po zhvillohet në Uzbekistan, peshëngritësi kuqezi arriti të rrëmbejë medaljen e artë në kategorinë 73 kg, duke ngritur në provën e tretë peshën 156 kg.
Ndërsa në stilin e shtytjes Briken Calja u shpall nënkampion bote, duke zënë vendin e dytë pasi ngriti 186 kg, 6 më pak se vendi i parë. Ai tentoi 190 kg në provën e tretë, por nuk ia doli, duke marrë kështu medalje të argjendtë.
Kështu në dygarësh Calja arriti peshën 342 kg, 1 kg më pak se vendi i parë, duke u renditur në vendin e dytë e duke marrë medaljen e argjendtë.