Qeveria e Britanisë synon të vërë në dispozicion 1.2 miliardë dollarë fonde publike për projektet e izolimit të banesave duke filluar që nga viti i ardhshëm. Sipas projektit, do të zgjerohet aksesi në asistencë, e cila më parë ishte në dispozicion vetëm për familjet më të varfëra.
Qeveria u shpreh se skema e propozuar do të zgjasë nga fillimi i vitit 2023 deri në muajin mars të vitit 2026 dhe do të ndihmonte në përmbushjen e një objektivi të fundit për reduktimin e konsumit të energjisë me 15% deri në vitin 2030.
Ministri britanik i financave, Jeremy Hunt u shpreh se skema e re do të ndihmojë qindra mijëra persona në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar që të izolojnë më mirë shtëpitë e tyre dhe për të reduktuar konsumin. Kjo do të nënkuptonte kursimin e qindra paund të familjeve çdo vit.
Britania aktualisht po përballet me vështirësitë më të mëdha në historinë e vendit për sa i përket kushteve të jetesës, kryesisht si pasojë e rritjes së kostove të energjisë që kur pushtimi rus i Ukrainës shkaktoi rritje të çmimeve të gazit natyror në të gjithë Europën.
Subvencionet e qeverisë për faturat e energjisë shtëpiake tashmë parashikohen të kushtojnë 25 miliardë paund këtë vit financiar dhe 13 miliardë paund në 2023/24.
Sekretari i biznesit dhe energjisë, Grant Shapps tha se programi i izolimit do të ndihmojë që Britania të jetë më pak e varur nga energjia e importuar. Subvencionet ekzistuese të izolimit synohen për njerëzit në banesa sociale ose që janë me të ardhura të ulëta. Sipas planit të ri, deri në 80% të subvencioneve do të jenë të disponueshme për njerëzit që nuk kualifikohen për asistencë të bazuar në të ardhura, por shtëpitë e të cilëve nuk janë efikase në energji dhe janë jashtë kufijve kryesorë për taksat lokale të pronës. Financimi prej 1.2 miliardë dollarësh vjen nga një buxhet prej 15.2 miliardë dollarësh për efikasitetin e energjisë për të mbuluar vitet deri në vitin 2028.
Kompanitë britanike të energjisë sugjeruan një skemë të ngjashme në shtator dhe detajet e sakta do të jenë subjekt i konsultimit publik dhe miratimit parlamentar.
Shapps tha gjithashtu se qeveria po niste një fushatë informacioni publik prej 21.7 milionë dollarësh për të inkurajuar publikun që të izolonte shtëpitë e tyre, të reduktonte radiatorët në dhomat e zbrazëta dhe të përdorë kaldaja në temperatura në të ulëta.