Katër në dhjetë emigrantë që kalojnë Kanalin me varka të vogla janë nga “Shqipëria paqësore, ku nuk ka pasur luftë për 25 vjet”.
Kështu shkruan një raport sekret i inteligjencës ushtarake britanike.
Lajmi u bë i ditur nga botimi “The Mail on Sunday”.
Dokumenti “i ndjeshëm” tregon se pothuajse tre herë më shumë emigrantë që mbërrijnë në brigjet e Mbretërisë së Bashkuar nga Franca vijnë nga Shqipëria në krahasim me çdo vend tjetër.
Është hera e parë që një raport zyrtar ekspozon se si pjesa më e madhe e atyre që bëjnë kalime të paligjshme duket se janë emigrantë ekonomikë që abuzojnë me sistemin bujar të azilit të Britanisë.
Raporti, i zbuluar ekskluzivisht nga “The Mail on Sunday”, pason një operacion survejimi nga Marina Mbretërore dhe ekspertët e inteligjencës së mbrojtjes të nëntë bandave kriminale që besohet se organizonin shumicën dërrmuese të kalimeve.
Një total prej 1 mijë e 75 shqiptarësh kaluan Kanalin me varka të vogla të organizuara nga bandat gjatë një periudhe gjashtë javore këtë verë.
Kjo është pothuajse dyzet për qind e atyre që u identifikuan se bënin kalimin e rrezikshëm.
Bandat po blejnë varka të mëdha në internet nga fabrikat kineze dhe po i transportojnë ato në Francën veriore.
Dy nga bandat – me emrin e koduar Dragon dhe Lotus – po i personalizojnë varkat duke u kërkuar firmave kineze t’i bëjnë ato më të mëdha, në mënyrë që të mund të futen më shumë emigrantë në bord.
Analistët e inteligjencës ende nuk kanë një pasqyrë të plotë të aktiviteteve të bandave, sepse autoritetet franceze nuk po u tregojnë atyre se kur po ndalojnë me sukses përpjekjet për kalim.
Raporti i zbuluar vëren se nga 2 mijë e 863 emigrantë të transportuar nga nëntë bandat midis 1 qershorit dhe 12 korrikut, 1 mijë e 75 – ose 37.5 për qind – ishin shqiptarë.
Iranianët përbënin numrin e radhës më të lartë, me 373 emigrantë, ose 13 për qind të totalit.
Kishte 363 emigrantë nga Afganistani (12.7 përqind e totalit), 217 nga Iraku (7.6 përqind), 162 nga Siria (5.7 përqind) dhe 163 nga Eritrea (5.7 përqind).