Bulldogu francez është një prej racave të qeneve që të krijon përshtypjen se kurrë nuk do të ishte i rrezikshëm, por historia e një tre vjeçari të sulmuar nga një prej tyre në Britaninë e Madhe tregon të kundërtën.
Fëmija fatkeqësisht ka humbur pjesën më të madhe të buzës së sipërme pasi u sulmua nga një bulldog francez.
Ngjarja ka ndodhur në janar të këtij viti, me vogëlushin që u sulmua nga qeni i një familjari të tij dhe pësoi lëndime të rënda në fytyrë.
Nëna e tij rrëfeu ngjarjen për mediat britanike dhe tha e pikëlluar se pavarësisht se është vetëm 3 vjeç, djali tani është “me të vërtetë i vetëdijshëm për mënyrën se si duket” pas kafshimit të qenit.
“Djali im u sulmua nga bulldogu francez i një anëtari të familjes kur mbeti pa mbikëqyrje pasi të rriturit kishin dalë nga dhoma. Ishte një sulm shumë i shpejtë dhe rezultoi në humbjen e 60% të buzës së sipërme. Ai iu nënshtrua një operacioni të gjatë për të riparuar buzën dhe mund të ketë nevojë për diçka të ngjashme sërish në të ardhmen. Atij iu desh pak kohë për të krijuar besimin e tij për të ngrënë e për të pirë dhe për të filluar të fliste përsëri”, tha ajo.
Në fund ka një apel për pronarët e qenve, duke kërkuar të jenë të kujdesshëm kur ata qëndrojnë rreth fëmijëve, pasi mund të ketë pasoja fatale edhe pse duken të parrezikshëm.