Një burrë sot u gjet i vdekur pasi një pemë ra mbi makinën e tij në jug të Kornuollit nga kalimi i stuhisë “Goretti”, që ka lënë mijëra familje pa energji elektrike në Britaninë e Madhe.
Prej mbrëmjes së 8 janarit, stuhia përfshiu vendin, me erëra që arritën 160 kilometra në orë në jugperëndim të Anglisë e në Uells, si dhe me reshje të dendura dëbore, akull dhe shi në Skoci, Uells, Irlandën e Veriut e në veri të Anglisë, duke shkaktuar shumë ndërprerje e probleme.
Policia e rajonit Kornuoll dhe Devon, në jugperëndim të Anglisë, njoftoi vdekjen e një personi në qytetin Helston. U gjet nga shërbimet e emergjencës në makinën e tij, mbi të cilin kishte rënë një pemë.
Operacionet u kryen në vendngjarje për të hequr pemën në mënyrë të sigurt dhe (…) fatkeqësisht, një burrë rreth të 50-ave u gjet i pajetë brenda makinës, njoftoi policia lokale në një deklaratë.
Pjesa më e madhe e Britanisë së Madhe vazhdon të jetë nën paralajmërim të verdhë për dëborë dhe ngrica sipas agjencisë kombëtare të meteorologjisë, Met Office, në Skoci dhe në veri të Anglisë, ku akulli mund të shkaktojë problematika.
Rreth 28 mijë familje ishin ende pa energji elektrike sot në mëngjes në jugperëndim të Anglisë dhe në rajonin Midlands, sipas të dhënave më të fundit të operatorit të rrjetit National Grid.
Stuhia “Goretti” shkaktoi gjithashtu dëme të mëdha materiale në Francë, ku më pak se 100 mijë familje mbetën pa energji elektrike në mëngjes, por pas kalimit të saj, fatmirësisht nuk u raportua për asnjë viktimë.

