Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në kuadër të vizitës zyrtare në Mbretërinë e Bashkuar, u prit në darkë nga Ministri i Shtetit për Mbrojtje, Lord Vernon Coaker, në “Naval and Military Club”, në Londër.
Zyra e Kryeministrit bëri të ditur se gjatë darkës më 09.04.2026, kryeministri Kurti e falënderoi Lordin Coaker për mbështetjen historike të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Kosovës, duke përmendur në veçanti: ndihmën ndaj refugjatëve, rolin e Gjeneralit Michael Jackson në çlirim, si dhe pas luftës në shtet-ndërtim, zhvillim dhe integrim.
“Kryeministri Kurti theksoi se Kosova dëshiron të ketë bashkëpunim edhe më të ngushtë ushtarak dhe të mbrojtjes, në drejtim të vlerave dhe qëllimeve të përbashkëta. Në këtë kontekst, ai përmendi bashkëpunimin në fusha specifike, si bashkëzbarkimet, trajnimet dhe zhvillimin e kapaciteteve”- shkruan në njoftim.
Kurti, gjatë vizitës zyrtare në Londër, ishte pritur nga sekretarja për Punë të Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper.
Ai theksoi se Mbretëria e Bashkuar është partner kyç strategjik dhe u zotua për thellimin e bashkëpunimit.
Lidhur me dialogun me Serbinë, Kurti përsëriti tri parakushtet për vazhdimin e procesit: dorëzimin nga Serbia të kryekriminelit Milan Radoiçiq, tërheqjen e letrës së ish-kryeministres Bërnabiq dhe nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit.
“Kryeministri theksoi se Kosova është e përkushtuar për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë nëpërmjet një marrëveshjeje ligjërisht obliguese, të bazuar në njohje të ndërsjellë”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.

