Një infermiere e akuzuar për vrasjen e foshnjave në një repart neonatal, vrau një vajzë të lindur para kohe në përpjekjen e katërt përpara se t’u dërgonte prindërve një kartë, u tha në gjykatë.
Lucy Letby akuzohet për vrasjen e shtatë foshnjave dhe tentativën për të vrarë 10 të tjerë në Spitalin Countess of Chester më 2015 dhe 2016.
Gjykatës së Mançesterit iu tha se zonja Letby dyshohet se u përpoq ta vriste vajzën duke i injektuar ajër.
32-vjeçarja Letby i mohon 22 akuzat ndaj saj.
Duke vazhduar deklaratën hapëse të prokurorisë për të tretën ditë, Nick Johnson KC tha se rrethanat e vdekjes së vajzës ishin “një shembull ekstrem edhe për standardet e këtij rasti”.
“Kishte katër raste të veçanta në të cilat ne pretendojmë se Lucy Letby u përpoq ta vriste atë”, tha ai.
Fëmija, i referuar për arsye ligjore si Fëmija I, ishte “rezistent”, tha ai, “por përfundimisht në përpjekjen e katërt, Lucy Letby ia doli ta vriste”.
Ai tha se në rastin e parë zonja Letby nga Hereford i kishte injektuar fëmijën I me ajër.
Në përpjekjen e saj të dytë, ai tha se ajo kishte qëndruar në hyrje të dhomës së errësuar të vajzës dhe komentoi se ajo dukej e zbehtë. Infermierja e caktuar e vajzës më pas ndezi dritën dhe pa fëmijën që nuk po merrte frymë.
Pas një tentative të tretë të supozuar për ta vrarë, Fëmija I u zbulua përsëri se kishte ajër të tepërt në stomakun e saj, gjë që kishte ndikuar në frymëmarrje.
Ajo u transferua në spitalin Arrowe Park, ku u stabilizua, para se të kthehej në Chester.
Kur alarmi mjekësor i Fëmijës I ra pas një përpjekjeje të katërt, një tjetër infermiere e gjeti infermieren Letby pranë inkubatorit. Foshnja vdiq atë mëngjes.
Johnson tha: “[Fëmija I] lindi shumë herët dhe shumë i vogël. Por ajo mbijetoi dy muajt e parë të jetës së saj dhe ishte mirë në kohën kur Lucy Letby e mori në dorë. Ishte këmbëngulëse, ishte e llogaritur dhe gjakftohtë”.
Gjykata dëgjoi se si menjëherë pas vdekjes së Fëmijës I, prindërit e saj u dërguan në një dhomë private dhe u pyetën nëse nëna e foshnjës donte të lante vajzën e saj.
Teksa nëna e bëri këtë, Letby shkoi aty dhe, sipas fjalëve të nënës, “po buzëqeshte fliste se si ishte e pranishme në larjen e parë të foshnjës dhe se sa shumë e kishte pëlqyer foshnja”.
Jurisë iu tha po ashtu se infermierja Letby më vonë u dërgoi një kartolinë simpatie prindërve të fëmijës dhe mbajti një imazh të saj në telefonin e saj.
Gjatë një interviste me policinë, ajo ra dakord se kjo ishte e pazakontë, por tha se nuk ndodhte shpesh që infermieret të njihnin një familje ashtu siç kishin njohur fëmijën I, dëgjoi gjykata.