Fondacioni i Shëndetit Mendor në Mbretërinë e Bashkuar ka njoftuar se do të zbatojë përfundimisht një javë pune prej 32 orësh, pas një programi pilot njëvjeçar të suksesshëm, pa ulje të pagës. Organizata më parë kishte një javë pune prej 35 orësh, ndaj ulja reale ishte vetëm 3 orë.
Studimi tregoi një reduktim të ndjeshëm të stresit të lidhur me punën, si dhe përmirësim të shëndetit mendor e mirëqenies së përgjithshme të punonjësve, pa ndikuar në produktivitet. Gati 8 në 10 punonjës raportuan një ekuilibër më të mirë mes jetës dhe punës, si dhe më shumë kohë për familjen, pasionet e tyre apo relaksimin.
Më shumë se 230 biznese dhe organizata të tjera kanë miratuar programe të ngjashme, duke marrë pjesë në iniciativën e “4 Day Week Foundation” për të vendosur javën e punës me katër ditë. Programi i ri pilot u zbatua nga prilli 2024 deri në prill 2025 dhe rezultatet u publikuan në mes të gushtit.
Studimi përfshiu të gjithë punonjësit që punuan me orë të reduktuara pa ndryshim në pagesë. Ndryshe nga modelet e ngurta të javës me katër ditë pune, punonjësit mund të zgjidhnin vetë se si t’i organizonin orët e tyre. Ky fleksibilitet ishte veçanërisht i dobishëm për kujdestarët, prindërit dhe ata që përballen me sëmundje afatgjata apo aftësi të kufizuara.
Gati 7 në 10 punonjës (69%) thanë se ndienin dukshëm më pak stres të lidhur me punën. Më shumë se dy të tretat (68%) raportuan përmirësim në mirëqenien mendore dhe 64% u ndjenë më të kënaqur me jetën në përgjithësi.
Përveç përfitimeve për shëndetin dhe mirëqenien, organizata pa përmirësime të dukshme në rekrutimin dhe mbajtjen e stafit. Aplikimet për punë pothuajse u dyfishuan gjatë periudhës së provës, dhe 28% e kandidatëve përmendën javën me 32 orë si arsye kryesore për aplikimin. Edhe synimet e stafit për të lënë punën u përgjysmuan. 100% e punonjësve shprehën dëshirën që java 32-orëshe të vazhdojë.
Një faktor i rëndësishëm për punëdhënësit ishte që produktiviteti nuk u ndikua nga kjo masë. Në fakt, 55% e stafit raportuan se ishin më produktivë dhe më të aftë për të menaxhuar ngarkesën e punës. Disa ekipe përmirësuan madje edhe performancën, duke punuar në mënyrë më efikase.