Një vit pas një prej sulmeve më të tmerrshme me thikë në historinë e Britanisë, qeveria e kryeministrit Keir Starmer ka nisur një fushatë kombëtare njëmujore për t’i bërë thirrje të rinjve të dorëzojnë armët e ftohta në pikët e “amnistisë” apo në furgonët e posaçëm lëvizës.
Kjo iniciativë është pjesë e përpjekjeve për të frenuar dhunën me thika, veçanërisht në mesin e të rinjve, pas masakrës së 29 korrikut 2024, ku adoleshenti Axel Rudakubana sulmoi një aktivitet për fëmijë në Southport, duke vrarë tre vajza dhe plagosur 10 të tjerë.
Që prej atij momenti tronditës, qeveria ka rritur presionin ndaj kompanive të mediave sociale për të ndaluar shitjet dhe promovimin e armëve, ka ndaluar mjetet e rrezikshme si thikat “zombie” dhe ka vendosur kontrolle më të rrepta për blerjet e thikave.
Kryeministri Starmer ka nisur një koalicion të gjerë për të luftuar krimin me thikë mes të rinjve, i cili mbështetet edhe nga figura publike si aktori Idris Elba dhe vetë Mbreti Charles.
Megjithatë, organizatat bamirëse thonë se këto masa nuk adresojnë shkaqet rrënjësore të problemit dhe kërkojnë përfshirjen e edukimit për dhunën me thika në kurrikulën kombëtare. Statistikat zyrtare tregojnë një rritje shqetësuese të krimeve me thikë – 87% më shumë në dekadën e fundit dhe mbi 54 mijë vepra të tilla vetëm në vitin 2024. Ndër to, mbi 3,200 u kryen nga fëmijë të moshës 10-17 vjeç, dhe 57 nga 262 viktima ishin nën 25 vjeç.
Një hetim publik për rastin Rudakubana është hapur këtë muaj dhe pritet të analizojë jo vetëm detajet e sulmit, por edhe faktorët më të gjerë që shtyjnë të rinjtë drejt dhunës. Organizata si Safety Centre theksojnë se varfëria, dëshira për status mes bashkëmoshatarëve apo presioni nga bandat janë disa nga arsyet kryesore përse të rinjtë marrin armë në duar.
Në zonat më të prekura, si Midlands Perëndimore, policia ka ngritur taskforca të dedikuara, si “Guardian Taskforce”, që gjatë qershorit kryen 366 ndalime dhe sekuestruan 57 armë. “Çdo thikë e sekuestruar është një jetë e shpëtuar,” deklaroi inspektorja Kate Jeffries.