Policia britanike njoftoi se ka arrestuar sot një person pasi hodhi vezë ndaj mbretit Charles III dhe bashkëshortja e tij Camilla teksa po shëtisnin në qytetin York në veri të Anglisë.
Incidenti ndodhi kur monarku dhe gruaja e tij po hynin në York përmes Micklegate Bar, porta mesjetare ku mbretërit priten tradicionalisht në qytet.
Sipas videos së publikuar, vezët ranë në tokë dhe çifti mbretëror nuk dukej se u godit. Disa efektivë policie e mposhtën personin në barrierat e vendosura para turmës. Agjencia britanike e lajmeve PA raportoi se teksa policia arrestonte personin, ai bërtiti se “ky vend është ndërtuar mbi gjakun e skllevërve”.
Charles III dhe Camilla do të vizitojnë katedralen e qytetit York Minster dhe do të zbulojnë statujën e Mbretëreshës Elizabeth II, e cila vdiq në shtator.